“Engjëlli i Vdekjes po i lëpin buzët” - NACIONALE

“Engjëlli i Vdekjes po i lëpin buzët”

10 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Një pikëvështrim nga fshati Çabiq për “nanën” e të gjitha krizave botërore.

Berat Buzhala

Në autobiografinë, prej më të mirave që i kam lexuar ndonjëherë, “Bota e së Djeshmes”, Shtefan Cvajgu thotë: “Nëse do të kisha fjetur përgjatë viteve 1930-a e 1940-a dhe kur do të isha zgjuar, po të më pyeste dikush se cili popull ka vrarë miliona hebrenj”, Cvjagu thotë se fillimisht do të thoshte francezët, pastaj do të thoshte rusët, e ndoshta diku nga fundi, do të thoshte edhe gjermanët.

Zanafilla antisemite është e lashtë, kurse për nja 2000 vjet këtë flamur e kanë bartur të krishterët. Myslimanët janë të vonshëm në këtë biznes. Vatikani dhe kreu i Kishës Katolike gjatë Luftës së Dytë kishin vendosur që ta ndjeknin politikën e neutralitetit përgjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë kohës kur furrat në Auschwitz dhe gjetiu nëpër Evropë po skuqeshin nga temperaturat e larta, të shkaktuara nga trupat e njomë të fëmijëve, pleqve e grave hebreje, Papa Piu XII po qëndonte neutral. Hehehe. Pra, as nuk po i mbështeste ata që ishin brenda në furrë, e as ata që po e mbanin zjarrin ndezur afër furrës.

Arabët janë të vonshëm në këtë biznes. Ata i kanë gjetur të gatshme tezat anti-semite. Nuk kanë pasur nevojë që të lodhen shumë. Kjo zënkë kishte filluar qindra vite para se të lindte vetë Islami.

Kur Evropa e krishterë, gjatë mesjetës, i përndiqte hebrenjtë, ata gjenin strehim ose në Spanjën myslimane, ku lulëzonte toleranca ndëretnike dhe ndërfetare, ose në Stambollin kozmopolitan.

Armiqësia e të krishterëve me hebrenjtë është ideologjike, kurse ajo e myslimanëve me hebrenjtë është për çështje mexhash, pra pronësore. Për mexha dhe për tokë vriten edhe vëllezërit. Dallimet ideologjike janë vazhdimisht më toksike, më afatgjata dhe me më shumë pasoja.

Kisha Katolike historikisht i ka fajësuar hebrenjtë për vrasjen e Jezu Krishtit. I ka akuzuar ata kolektivisht se kanë gjak në duart e tyre. Kjo teori është ushqyer shumë. Është përcjellë brez pas brezi. Deri te Adolf Hitleri.

Sot në Evropë, falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjërat kanë ndryshuar deri diku, ndonëse edhe më tutje nëpër bodrumet e kontinentit të vjetër operojnë neonazistët.

Po e bëj këtë hyrje nisur prej disa paragjykimeve se kinse me Izraelin janë proevropianët, kurse kundër Izraelit myslimanët antievropianë. Banalisht, vetëm në sipërfaqe, kjo mund të jetë deri diku e saktë sot, por vetëm në sipërfaqe dhe vetëm në disa dekadat e fundit.

Me inkursionin e terroristëve të Hamasit nga Gaza në Izrael, të shtunën e kaluar janë hapur dyert e ferrit si kurrë më parë. Kolumnisti i gazetës “The Guardian”, Jonathan Freedland, në një shkrim tha se “Ëngjulli i Vdekjes po i lëpin buzët.”

Asnjë vrasje nuk jehon në asnjë pjesë të planetit, si ajo që kryhet në dhe rreth Jerusalemit. Në këtë qytet gjendet një pjesë e identitetit të rreth gjysmës së banorëve të botës – e atyre që besojnë në një Zot.

A i keni parë qysh shkumojnë analistët në studiot tona? Ata nuk shkumojnë vetëm se atje po kryhen krime, por se atje po ua sulmojnë atyre identitetin. Fëmijë po vriten edhe në Ukrainë, por, përveç Flutura Kusarit, që ishte më e përfshirë duke strehuar gazetarë, pjesa tjetër e shoqërisë ka qenë mjaft e matur në debate dhe analiza.

Me po kaq pasion për luftën në Lindje të Mesme po debatohet edhe në Indonezi, edhe në Amerikë e edhe në Evropë. Madje në Francë filluan vrasjet, si efekti i dominos. Njëri prej njohësve më të mirë të politikës së jashtme, Simon Tisdall, shkruan që përshkallëzimi i këtij konflikti në nivel global kurrë nuk ka qenë më afër.

Do të mjaftonte vetëm një gabim njerëzor, që Irani dhe Izraeli t’i nisnin raketat në drejtim të njëri-tjetrit. Të dyja palët i kanë gishtat në këmbëzat e armëve. Kjo, pastaj, do t’ia vinte flakën tërë Lindjes së Mesme dhe jo vetëm.

Nuk ndodh çdo ditë që ShBA-ja të nisin në drejtim të një vatre lufte dy - tri anije luftarake, siç ka vepruar tash së fundmi. Gjithashtu, nuk ndodh çdo ditë që vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të caktojë një vizitë urgjente në një vatër të nxehtë, siç ka vendosur Joe Bideni. Ai nesër do të shkojë në Tel Aviv. Gazeta prestigjioze, “The New York Times”, shkruan se kjo vizitë është e rrezikshme në disa fusha, duke filluar që nga aterrimi i aeroplanit në aeroportin “Ben Gurion”, i cili është brenda rrezes së raketave të Hamasit.

Kjo po duket tash si një lojë e vështirë e shahut. Palët po i koncentrojnë figurat te fusha e tensionuar. Teorikisht, Perëndimi ka më shumë figura në dispozicion, por, për fatin e keq të Perëndimit, një përshkallëzim i madh do t’i detyronin që të merrnin anë edhe vendet aleate, si Arabia Saudite dhe Egjipti, të cilat, në fund të fundit, janë të shtrënguara, përkundër vullnetit të udhëheqësve që të rreshtohen në krah të Hamasit, Iranit dhe Rusisë. Për më tepër, kjo gjë po ndodh bash në momentin kur ata po aviteshin me Izraelin. Arabia Saudite dhe Izraeli thuhej se ishin vetëm disa javë larg vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Tash kjo gjë duket kushedi sa vite larg.

Nëse para disa muajve dikush do të thoshte që Izraeli do të përfshihej në një luftë, pakkush do të mendonte që do të përfshihej në një luftë me dikë prej fqinjve. Lideri izraelit, Benjamin Netanjahu, i kishte filluar të ashtuquajturat reformat në drejtësi, duke e shndërruar vendin e vet nga një shtet demokratik në shtet autoritar.

Protestat e opozitës nuk kanë pasur të ndalur. Ndarjet brenda shoqërisë ishin aq të thella, sa ishte paralajmëruar edhe luftë civile. Për ta shpëtuar lëkurën e tij nga akuzat për korrupsion, Netanjahu ka bërë koalicion me forcat më të errëta politike në Izrael, spektrin radikal religjioz. Kjo gjë e ka frustruar tej elitën liberale në këtë vend. Bashkë me qindra mijëra veta, në protesta kanë marrë pjesë edhe figura të rëndësishme intelektuale, si Yuval Harari.

Për ta bërë një situatë të keqe të shëmtuar, Qeveria e Netanjahut ka vazhduar edhe me ndërtimin e kolonive të reja në Bregun Perëndimor, duke i acaruar kështu edhe Uashingtonin edhe Brukseklin. Qasja e kësaj qeverie ndaj arabëve që janë shtetas të Izraelit, e që janë rreth 20 përqind e banorëve, ka qenë në masë të madhe raciste. Jo pse Netanjahu personalisht ishte i tillë, por sepse partnerët në qeveri i kishte të tillë. Sido që të jetë, kjo qasje e qeverisë i kishte përafruar në masë të madhe partitë liberale hebreje me partitë arabe. Po të mos ndodhte sulmi terrorist i Hamasit, dukej e afërt dita kur, për herë të parë, do të shihnim aleanca të tilla qytetare.

Deri para të shtunës, raportet e aleatit kryesor të Izraelit me Qeverinë e Netanjahut kanë qenë në pikën më të ulët të mundshme. Bideni e ka takuar Netanjahun vetëm në margjina të takimeve në Kombe të Bashkuara dhe në takim i ka thënë atij që i ka disa detyra për t’i bërë. Ministrat e ekstremit të djathtë të Netanjahut në jo pak raste e sulmonin publikisht presidentin e ShBA-së.

Në këtë mënyrë, demokracia e vetme në Lindje të Mesme po lëvizte në mënyrë të sigurt drejt modelit rus të demokracisë.

Forcat e Hamasit kanë marrë pjesë vetëm një herë në zgjedhje të lira në territorin e Gazës - në vitin 2004. Ato zgjedhje i kanë fituar, kurse më pastaj kanë konsideruar se më nuk ka nevojë që të ketë zgjedhje fare. Hamasi është akronim për “Harakat al-Muqawama al-Islamiya” ose Lëvizja e Rezistencës Islame. Rrënjët e kësaj lëvizjeje janë te Vëllazëria Myslimane, lëvizje politike islamiste, suni, e themeluar në Egjipt në vitin 1928 dhe e shpërndarë në forma të ndryshme në të gjitha vendet arabe. Në një formë ose në një tjetër, nga Vëllazëria Muslimane janë ushqyer ideologjikisht edhe Al Qaeda, edhe ISIS-i.

Hamasi lufton për zhdukjen e shtetit të Izraelit. Nuk angazhohen për zgjidhje paqësore dhe për bashkekzistencë. Këtë e pamë edhe me veprat e këtij grupi të shtunën e kaluar. Vranë gra e fëmijë, kurse rrëmbyen pleq me demencë dhe gra shtatzëna. Në dukje të parë, këto janë pengjet kryesore të këtij formacioni terrorist, kurse nëse e shikojmë pak më në thellësi, pengjet kryesore të Hamasit janë mbi dy milionë njerëz që jetojnë në rripin e Gazës.

Para se të fillonte konflikti i të shtunës së kaluar, mbi 60 për qind e banorëve të Gazës ishin të pakënaqur me qeverisjen e Hamasit. Sikur në Gazë të zhvilloheshin zgjedhje të lira, Hamasi do t’i humbiste ato. Megjithatë, e vetmja rrugë për ta rritur reputacionin, për Hamasin, është lufta. Krerët e kësaj organizate jetojnë në luks në Katar, me lidhje dhe me financa në Iran, duke e mbajtur nën presion botën arabe. Hamasi është organizata e vetme arabe sunite që lidhjet më të mira i ka me rivalin kryesor të arabëve, Iranin shiit. Irani i izoluar nga bota perëndimore e shfrytëzon Hamasin për ta portretizuar vetën si shtet kujdestar ndaj myslimanëve të shtypur.

Është absolutisht e paqartë se çfarë do të bëjë Irani, nëse Izraeli me të vërtetë futet me trupa tokësore në Gaza. A do të ndërhyjë apo vetëm do t’i shpeshtojë të lehurat? Aktualisht, një organizatë tjetër terroriste, ajo e sektit shiit, Hezbollah, prokurë e Iranit, po e teston Izraelin, duke i hedhur ca raketa nga Libani në drejtim të Izraelit. Hezbollahu dhe Libani patën paguar shtrenjtë një luftë me Izraelin në vitin 2016, kur patën vrarë tre ushtarë të Izraelit. Forcat e Izraelit qenë përgjigjur brutalisht në atë kohë, duke u futur thellë në Liban. Aq e ashpër ka qenë përgjigjja e Izraelit, sa, një vit më vonë, udhëheqësi i Hezbollahut, Hasan Nasrallah, kishte thënë që “nuk kishin besuar as 1 për qind që sulmi i Izraelit do të ishte i këtyre përmasave”.

Në këtë kontekst, në formë kërcënimi, shefi i Ushtrisë së Izraelit e porositi Hezbollahun që nëse dëshiron që të dijë se çfarë do ta presë, “le të përcjellë me vëmendje se çfarë do të ndodhë me Hamasin”.

Pas pamjeve të tmerrshme të masakrave të Hamasit, në kampin pro-izraelit u shtuan thirrjet që ushtria izraelite të futet në Gaza me trupa tokësore, që ta krehë tokën atje, për ta zhdukur Hamasin një herë e mirë.

Thomas Friedmani, figurë monumentale e gazetarisë dhe e gazetës “The New York Times”, ka shkruar se fundmi që asnjë organizatë terroriste nuk mund të çrrënjoset një herë e mirë. Sipas tij, është gabim ripushtimi i Gazës. Ky gazetar, hebre, mendon që Hamasi mund të mposhtet vetëm me aleanca të gjera dhe me Netanjahun larg pushtetit.

Tashmë Izraeli e ka 11 Shtatorin e vet. Pa dyshim, ditë e zezë dhe krim makabër. Askush nuk di më siguri se cili do të jetë epilogu. Tek e fundit, luftërat dihet se si fillojnë, por kurrsesi se si mbarojnë. Kur, në shtator të vitit 1939, tanket e Gjermanisë naziste ishin futur në Poloni, askush nuk kishte bërtitur që “filloi Lufta e Dytë Botërore”. Historianët më vonë e kanë përcaktuar atë datë. Nuk po aludoj që po futemi në Luftën e Tretë Botërore, sepse nuk e kam këtë autoritet. Po them që ecuria e luftërave është e çuditshme dhe e paparashikueshme.

Nuk di nëse ka ngelur ende ndonjë lexues në këtë shkrim të gjatë, por, nëse po, atëherë po i drejtohem atij: dialogu dhe zgjidhjet politike janë rruga e vetme për të mbyllur një problem, e jo ushtria e policia. As një superfuqi ushtarake, siç është Izraeli, kurrë nuk do të mund të jetë plotësisht i sigurt vetëm duke u bazuar në forcën e vet. Edhe nëse zhduket sot Hamasi, nesër do të ngrejë kokën një organizatë tjetër terroriste.

Autoritetet e Kosovës do të duhej ta lexonin me shumë kujdes situatën atje. Vetëm me marrëveshje politike zgjidhen problemet.

Lajme të ngjashme