Dy gjynahet e Kosovës për shqiptarët e Maqedonisë
Kultura e vulgut, e vetmja fabrikë në Kosovë që funksionon me kapacitete të plota, ka krijuar një imazh vetabsorbues sikur shqiptarët ‘kosovarë’ vetëm u kanë bërë të mira sivëllëzerve të tyre përtejkufirit dhe në prapakthim nuk kanë marrë as një ‘faleminderit’. Në të vërtetë, naiviteti kosovar u ka bërë dy dëme të pandreqshme shqiptarëve në Maqedoni, njërin më 1920 dhe tjetrin një shekull më vonë. Le ta zhbirojmë veten me sy qortues e mendje kritike.
Col Mehmeti
1 shtator 2025 – Sotpërsot Kosova po e mbizotëron në mënyrën më të çoroditur ekumenën shqipfolëse në rajon, e veçmas atë në Maqedoni.
Edhe pas një vizite kalimthi, shumëkush bëhet pikëpyetje habie sesi ndodh që publiku shqiptar në Maqedoni, bie llafi, ka më fort vëmendje për gjëra koti nga Kosova sesa për punët e veta.
Prima facie, plot nga ne do ta shihnin një gjë të tillë si pozitive duke e lexuar atë si njëshmëri shqiptare andej-e-këndej kufirit.
Se Kosova mbizotëron me toksicitetin e një politike të krupshme provinciale, ose me një kulturë tallavaje pa produksion letrar, artistik a akademik, kjo është meritë e një rrethane jokulturore e jopolitike në vetvete.
Kosova e vogël është një polis
digjital ku interneti e qasja në të është tokëzuar si askundvend tjetër në Evropë.
Vetëkuptohet, që një polis digjital mbërrin të imponohet brenda albanosferës pa kushediçfarë sforcimi a shterëzimi.
Ai që vetë Banka Botërore i referohet si ‘high internet penetration’ prodhon aso situata ku figura camërdhoke shëmbëllejnë hije të stërmëdha: një hardhucë sa gishti reflektohet si zvarranik me përmasa dinosauri, një çafkë reflektohet sa një shpend masiv.
Edhe një mediokritet politik falë tejshpërndarjes në rrjete sociale morfizohet si përmbajtje gjoja e thellë.
E kush më fort shpërndahet sesa mantra e çmendur e VV-së dhe botëpamja e saj mjerane?
Një copë e shkëputur videoje kur ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë: “Unë nuk kam guximin për të falur tokë shqiptare si ata të tjerët” i mbivihet çdo lloj përmbajtje tjetër të hajrit që do të kërkonte sadopak vëmendje e vramendje.
Eksporti i gabuar vleror, importi fatal kulturor
Kacagjelosjet e tilla – dhe mos të harrojmë se Kosova jonë prejse mbahet mend i var qepët lart për nga fjalët e mëdha! – përbëjnë lëndën e përditshme të asaj që eksportohet vazhdimisht jashtë kufijve të 10 mijë e kusur kilometrave katrorë. Dhe po këto importe janë ato që më së shumti konsumohen prej shqiptarësh në Maqedoni.
Me këtë shpjegim merr përgjigjje pse Maqedonia është ‘kosovarizuar’ në mënyrë të frikshme dhe pse regjimi i boko-haramave në Prishtinë ka fituar kaq shumë mendje e zemra andejpari.
Kjo ka pasoja të deplorueshme për shqiptarët në Maqedoni. Ja pse!
Elitave maqedone iu leverdis një publik shqiptar që s’prodhon asfarë dinamike apo trysnie, një i tillë që vegjeton jetë paralele, që jeton mendërisht me budallëqet veshtullore që i mbiprodhon Kosova e regjimi psikopat i Kurtit.
Nëse dikur ëndrra më e madhe e përpjekjes sonë kombëtariste ishte që shqiptarët ta kishin një hise prej elementi shtetformues në Maqedoni dhe ky shtet, në prapakthim, të fundamentohej si akord mes dy etnive të atyshme, sot kjo është shkatërruar me pamëshirë të frikshme.
Shqiptarët janë delegjitimuar politikisht përballë një VMRO-DPMNE-je që tashmë i mbisundon jo duke e mohuar lidhjen e tyre me Kosovë, por duke e sjellë Kosovën tek ta, duke i ngopur gjer në plasje plëndësi me mbipraninë e saj.
Prania ‘kosovariste’ e lejuar nga VMRO-DPMNE dhe LSDM
Ky është psehu që, që në verën e vitit 2023, më aq lehtësi i shtrohej qilimi i kuq Kurtit.
‘Shqiptarizma’ e tij ishte ajo e një fushate guhëhelmët në Çair e Tetovë kundër BDI-së e për partiza aventuriere.
Ishin këto skena si dikur akënxhinjtë, kalorësit e lehtë osmanë, që digjnin me hekur e zjarr vendin për t’ia sheshuar udhën ushtrisë së jeniçerëve.
Për ata që më shumë sesa mbamendje kanë paaftësi për të harruar, ‘Kosova’ e lejuar nga vëmëroistët na e shpluhuros edhe një ngjarje tashmë të motshme nga viti i largët 2006.
Asobote, ish-presidenti maqedon Branko Crvenkovski ia krehte bishtin jo pak ish-kryeministrit Agim Çeku të cilit i bënte rixha që të përdorte autoritetin e vet e t’i pajtonte dy partitë shemra shqiptare.
Kjo prani ‘kosovariste’, që vepronte me leje të shtetit maqedon, bëhej vetëm pse i lehtësonte politikës së asokohshme që të mbaronte punë për hesape të veta pa i përvjelur fare mëngët, por me argatë falas nga Kosova.
Sa kohë që publiku shqiptar në Maqedoni tralliset pas kotësive nga Kosova, pas shejtanllëqeve të albinkurtizmit, potenciali kreativ do të jetë më i varfër e më majëtopitur.
Fiksimi pas politikës provinciale në Prishtinë domethënë mungesë dëshire për të mbrothësuar përditshmërinë shqiptare në Maqedoni.
Me video e me shishka propaganda ku Kurti e ‘mbron’ nderin panshqiptar, jo që nuk përfiton hisja shtetformuese shqiptare në Maqedoni, por as nuk shtrohet një copë trotuari me kubëza, nuk ngrihet as një urë e as nuk e merr të mbarën Shkupi i shkatërruar e qytetet e tjera që po myshkohen nga depresioni.
Dy sherret e rënda të Kosovës
A patën hajr shqiptarët anas nga Kosova, është pyetja që duhet bërë shqeto.
Në historinë e gjersotme, Kosova dy herë i rrasi hundët në Maqedoni dhe në të dyja rastet i mori në qafë shqiptarët në jug të Sharrit.
Në nëntor të 1920-s, aventurieri Hasan Polaci, i tjetërquajtur edhe si Hasan Prishtina, nënshkroi një marrëveshje me Aleksandar Protogerovin e VMRO-së bullgare.
Kjo marrëveshje shestonte që të dyja palët të bënin kryengritje antijugosllave, porse aventurieri kosovar pranoi çlirimin e Maqedonisë “në kufijtë e saj gjeografikë e etnografikë”.
Kosovari skandaloz, i cili në Tiranë bënte zullum dhe tmerronte me revole deputetë e ministra shteti, pranoi që shqiptarët nga Kumanova gjer në Prespë të ishin pjesë e Maqedonisë së hartave vëmëroiste.
Jo vetëm që nuk u zu gojesh një prospekt kantonalizimi si modeli i evokuar zviceran, por të vetmin ‘përfitim’ që e mori ishte premtimi i tymtë bullgar se fati i Dibrës së Madhe me gjasmë do të vendosej me plebishit.
Në Sofje u mbajt mend dhe u regjistrua ky maskarallëk i Hasanit.
21 vite më vonë, në prill të 1941-s, kryediplomati flambojant e harrakat i Romës, Galeazzo Ciano, u ndodh në një pozicion fort të palakmueshëm.
Plani i Pallatit Kixhi që Mbretnisë së Shqipnís ‘savojane’ t’i bashkëngjiteshin viset e Vardarit deri në Prespë doli gjysagjel.
A thua pse?
Hartë e shkallës 1:200 000 e punuar nga gjeografi Ahmet Gashi (1888-1977). Si pjesë e një studimi, kjo hartë e 1941-s paraqet me ngjyrë të verdhë kufijtë e Shqipërisë që hyri në Kurorën e Savojës. Jashtë kufijve të rinj mbetën Ohri, Manastiri, Derveni, Shkupi dhe Kumanova. Harta ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, në Fondin 144.
Diplomatët bullgarë përplasën në tavolinë pikërisht marrëveshjen e Hasan Polacit me Protogerovin.
Me çykë zori, Ciano e nxori më në fund një kompromis që shtetit shqiptar t’i shtohej vetëm një rrip i hollë nga Tetova deri në Strugë si dhe një xhep i vogëlth në anë të Prespës (Carev Dvor).
Jashtë Shqipnís ‘savojane’ mbeti pjesa më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni dhe kjo ishte pasojë retroaktive e harambashllëkut kosovar.

Edhe kur kufiri u zyrtarizua, Sofja gjatë gjithë kohës nxiti çeta komitësh bullgarë që terrorizonin me vrasje e cubni Pollogun e Kërçovën. “Tetova është e jona”, thoshin krerët e tyre dhe kujtonin marrëveshjen me Hasanin të cilës i ishte tharë boja e nënshkrimit njëzet vite më parë.
Rasti i dytë kur Kosova i mori në qafë shqiptarët e Maqedonisë është tepër i vonë dhe për të cilin jemi sypamës të gjithë ne.
Regjimi i boko-haramave në Prishtinë u bë aleat me VMRO-DPMNE-në dhe i ktheu shqiptarët në derexhenë e mbijetesës. Ajme!