Dr. Strangelove ose si mësova ta mbroj vendin pa njerëz - NACIONALE

Dr. Strangelove ose si mësova ta mbroj vendin pa njerëz

6 muaj më parë

nga Col Mehmeti

3 shkurt, 2023, ditë xhumaje. Tej lagjes Çengelköy bri Bosforit, qielli e deti sikur këmbenin grinë dhe blunë si për t’i dhënë gajret njëri-tjetrit në atë zymti trishtuese shkurti.

Klithma pulëbardhash e uturima të zvargura vaporësh dëgjoheshin nga larg.

Kjo pamje që vinte nga xhamat e mëdhenj të villës hijerëndë Vahdettin Köș nuk e mpakte peshën e sikletit në dhomën e madhe.

Heshtja që pllakoste mes disa burrave sikur e bënte edhe më të vdekur luksin e villës, qilimat e kushtueshëm dhe perdet fijearta.

Erdoğani rrinte çehrerëndë e si i përhumbur, kurse kundrejt tij Albin Kurti në fytyrë ruante ende rrënojat e një buzëqeshje të pakuptimtë e shtihane.

Ky ishte takimi i parë i kryeministrit të Kosovës me presidentin e Turqisë ose Türkiyes për turkofilët tanë me sedër.

Si për dreq, asnjëra palë në takim nuk dinte sesi ta ndezte muhabetin e ngrirë qoftë edhe me një romuz koti.

Hadi arkadaşlar, başlayalım”, duhet të ketë thënë dikur Erdoğani si për ta përmendur edhe veten nga gjumi i pleqërisë që tani ia rëndonte qepallat edhe midis takimeve.

Dikush ia përktheu Kurtit me disa pësht-pështe te veshi: “Po na thotë ‘Hajdeni, djem, nisjani’

Në takim, Albini kishte marrë me vete edhe përkthyesin më të mirë simultan nga Kosova, Hajrullah Çekon dhe zëdhënësin çunak të Qeverisë, Përparim Kryeziun.

Si u këndell, Erdoğani po e pvetë Kurtin:

Kaç çocuğun var? (Sa fëmijë i ke?)

Bir kızım var (Vetëm një vajzë), e përcolli Çeko i buzëqeshur përgjigjjen e shefit të tij njashtu të buzëqeshur.

Me pleqërinë në supe që shpesh ia humb ngurrimin introvert, Erdoğani tani iu drejtua vetë përkthyesit nga Përzëreni “Ya siz?” (Po ti?)

İki kızım var (I kam dy vajza), gjegji Çeko poliglot.

Villa tani u duk sikur u ngjall e mbush me biseda mëhallash.

Erdoğani bëri me gisht kah Përparimi i ri.

Dhe Çeko e përcolli turkçe përgjigjjen e tij: “Evli değilim” (Nuk jam i martuar).

Nikoqiri tundi kryet me një grimasë keqardhje në fytyrë.

Ja, me këto llafe province plakushi sanguin maje Çengelköy-it e nisi bisedën ‘serioze’ për punë diplomacie e ushtrie.

Iu tha jalldash-kardashëve nga Kosova se dronët kanë nevojë për meshkuj, për djem të rinj, e jo për femra.

Kaq di bota osmane. Teknologjia nuk është e thënë se i heq rrembat e vjetër të një kulture të depozituar shekujsh.

Askujt nuk do t’i kujtohej se atë ditë në Mesdhe mbase qielli duhet të ishte përshkuar kushedi sa herë nga avionë izraelitë të pilotuar nga femrat më të afta të IDF-it. Nga jahuditë, domethënë.

Por në botën e re osmane ora ka mbetur e varur në një kohë dhe ndryshket gjithë çmërs në pandryeshueshmërinë e vet.

Edhe nën darat e senilitetit, Erdoğani e kishte kuptuar se Albinit po i iknin njerëzit nga shteti. Domethënë, po i fironte demografia.

Kjo histori e panjohur stambollite është si një muzikë vajtuese për dramën e një vendi që po shpopullohet gjatë gjithë vitit dhe popullohet sezonalisht në pushimet e verës dhe dimrit.

Le ta dalim nga temjani dhe nargjileja e iluzionit turk e le të flasim jofigurshëm e vetëm me gjuhë shifrash.

Regjistrimi i fundit nxori një shifër prej 1.586.659 banorë rezidentë në Kosovë.

Cubimi i popullatës për trembëdhjetë vite është 11%. Dhe kjo midis paqes ku qielli nuk errësohet nga rétë e luftës.

Brenda një gjysmëdekade, që përkon me epokën albinkurtiste, numri i të larguarve mbërrin të frikshmen shifër prej 151,700 banorëve.

Për të folur me gjuhë përqindje, kjo i bie 9.56%.

Koha e sovranitetit, flamujve dhe urave të betonta që demek urëzojnë brigje.

Vjet, Kosovës iu shtuan 20,998 jetë të reja, por nëse bëhet hesap numri i vdekjeve (10,110), rritja natyrore del afër 11 mijë vetë.

Shkalla e tashpërtashme e fertilitetit (1.55 - 1.88 fëmijë për grua) nuk është as hija e dikurshme. Me një trend të tillë, rrita demografike është poshtë zëvendësimit.

Peizazhi i ri demografik në Kosovë, ku hisja e popullatës urbane doli për herë të parë më e lartë se ajo rurale (më 2024 ishte 50.18% kundrejt 38.03% më 2011), mund të jetë një ogur që nataliteti të përjetojë rënie.

Nëse rritja vjetore prej 10 mijë vetash kundrohet me emigrimin vjetor prej 30 mijë vetash, popullata rezidente mund të rrudhet me 280 mijë njerëz më pak – diku 1.3 milionë.

Si Policia e Kosovës ashtu edhe Forca e Armatosur e Kosovës do të mbajnë mbi supe peshën e këtij kaleidoskopi demografik.

Me mpakje të tillë, personeli aktual do të privohet nga resursi njerëzor që domethënë se fizionomia e shtyllave të sigurisë mund të jetë krejt ndryshe brenda disa vitesh.

Deri më tani, braktisja e uniformave policore a ushtarake ka zënë vend vetëm si njoftim nëpër media, por jo dhe në shtjellime analitike.

Më 2023, të paktën sipas asaj që u kumtua zyrtarisht, 221 pjesëtarë u larguan nga radhët e ushtrisë.

Megjithëse nuk janë dhënë përsaktësimet se sa prej tyre ishin nga personeli aktiv e sa nga ai rezervist, 221 largimet e 2023-s mund të jenë një 8.84 përqindësh i gjithsejtit.

Dronët blihen, por me çfarë blihet mbetja e njerëzve këtu?

Lajme të ngjashme