Albinkurtizmi në fjalor: “Aftësia për të ngopur me lugë të zbrazët”
ChatGPT-ja i kompensoi analfabetët me një shqipe të vdekur për gjuhën amtare që nuk e dinin; populizmi ua hoqi gajlen partive për të angazhuar me mëditje programshkrues e kalemxhinj që e shkruanin programin. Albinkurtizmi, në anën tjetër, na hoqi ëndrrat për shkencë, të mbërrime e shikim kah qielli i ardhmërisë. Na mësoi se shtetas të denjë jemi vetëm kur duartrokasim majmunin që hiqet si mbret xhungle në mungesë të tigrit; na mësoi se atdhetarë të mirë jemi kur tundim flamuj marrëzie, kërcejmë nga urat e shajmë hasmët e partisë; na mësoi se shteti bëhet me ekspansion të urave aty ku s’ka as lumë e as brigje; na mësoi edhe të naltojmë minare aty ku s’ka as besimtarë, as shpirt e as njerëzi.
Col Mehmeti
5 maj 2026 – Dikur partitë politike e kishin gajle si të gjenin e ku të gjenin një kalemxhi të mirë për fjalime.
Ashtu si kokëçarja për përgatitjet e një dasme alla-turka për të gjetur një sallë a këngëtar, partive u duhej edhe një ustah që ia kishte dorën hartimit të një programi.
Një programshkrues, domethënë.
Sikletin e parë e tejkaloi ChatGPT-ja përmes shqipes së vdekur që prodhohet artificialisht.
Nuk kishte më nevojë për kalemxhi privat, dhe Agim Bahtirët që në mbrëmje fjetën si analfabetë u zgjuan në mëngjes si tjerë njerëz.
Ata tashmë ishin autorë përmbajtjesh ku shqipja dukej aritmetike në përpikmërinë drejtshkrimore me shenja pikësimi, më ë-të në vend e pa ë-të e tepërta.
Sikletin e dytë, pra nevojën për program politik, e tejkaloi shoqëria që nga politika pret se kush do ta ulurojë më fort e më mirë këngën e populizmit.
Jetën më mirë e sheh në Gjermani, kurse për vendin e vet e dëshiron spektaklin me sovranitet.

Dikur ishte alamet pune që të gjendej një shkrues i programit parazgjedhor, madje bëhej kujdes që ustahu të mos ishte ndonjë manipulant që shkruante tinëz edhe për partinë shemër.
Ndonjë zelltar i partisë ngrinte zërin se kjo pjesë ose ajo pjesë e programit po plagjiarizohej pabesisht nga partia tjetër.
Me këto kalamallëqe shtyheshin ditët në një provincë qesharake. Megjithatë, kultura demokratike ishte prapëseprapë vitale.
Kur fryma e sëmurë e turmave u ul në fron si majmuni në xhunglën pa tigër, ajo demokraci fëmijërore me kalemxhinj e programshkrues që merreshin me qira i mbylli sytë për jetë të jetëve.
Në vend të saj erdhën tabiatet më të zvetënuara e parake shoqërore.
Krejt pjesa e llumtë e shoqërisë mori zemër që të ishte fjala e fundit për gjithçka; kështu, mutat, viranat e pisat e mëhallës dhe fshatit u bënë viralë mes dhjetëra-mijëra pëlqimeve.
Kurse ai porcion që kishte një copë rationale
e dinjitet u ndje i frikësuar dhe i pashpresë për të lëshuar qoftë një “ah” edhe kur bota po i vithisej para syve.
Mendimi filozofik grek mbase është veçse fusnota e një pohimi tepër themelor se sa e keqe bëhet bota kur kallaballëku shndërrohet në zot.
Ata e quanin okhlokratía sundimin e turmës dhe njerëzit e saj hoi polloi.
Vitet e turmave janë këto kur vlerësohen akrobacitë e majmunëve, ku kodi i populizmit peshon më fort sesa të gjitha shartet e demokracisë dhe institucionalizmit.
Në këtë botë të bythëpraptë, publiku jeton për dramë dhe personazhet kryesore që bëhen heronj janë ata që përmes llogjeve (pallavrave) krijojnë fikitivisht sovranitet, fuqi e dinjitet.
Mbase është e vërtetë ajo legjenda që mbante erëmim vjetërsie sesi fukaraja e shiti lopën për të blerë pushkë me të cilën e mori veten në qafë.
Publiku do një Albin nga i cili ushqehet me një takëm të pasubstancë, ku filxhanë e xhezve janë të mbushura me simbologji e ideologji.
Dhe pse albinkurtizmi duhet të çajë kryet për një program a për një çetë këshilltarësh me ekspertiza të turlifarshme?
Në vend të vendimeve që kërkojnë pleqërim të thellë e përgjegjësi, më e lehtë është sadakëpolitika dhe hala më e lehtë ngopja me lugë të zbrazët
E tillë është, për shembull, edhe ky ekzibicioni neveritës me ‘rindërtim’ të xhamisë mbi Ibër.
Ky xhamifikim (këtë shprehje, pra mosquization, e kishte sajuar motikohë sociologu M. Basharat Ali) është ideologjia perverte që kërkon ta arnojë dështimin kolektiv me simbolika të betonta.

Paskrupullsisht, partia-shtet del e hedh tej funksionin e ekulibruesit moral dhe sekularizmit dhe në vend të kësaj shërbehet me subkultura të rrezikshme fetare.
Kështu, shteti armëzon tempujt e betontë dhe i paraqet si triumfe kolektive.
Dhe përtej këtij shfrenimi që kënaq turma është një botë tjetër që nuk shihet nga verbëria e vullnetshme.
Sepse me ura të reja, e tash edhe me ekspansion ngrehash fetare, nuk fshihet dot që Lideri Suprem në Ohër mori detyrime e dha zotime që shtetin e tij ta bëjë me një Zajednicë.
Kjo e bëmë e tij do ta çatrafilojë rregullimin juridik dhe do të krijojë pushtete paralele.
E keqja është që në rrethanat e çkohezionit të madh shoqëror, një pushtet i ri paralel as që do të vërehet.
Ka kohë që e gjithë shoqëria jeton në mikrobotë paralele.
Mbi identitetin e madh të shqiptarizmes kanë buthtuar puçrrat e nënidentiteteve fetare e politike dhe përçarjes së pashpresë. Koha e Albinit!