Ditëlindje, kryeshnosh e përkujtime
Protokolli shtetëror dikur mbante njëfarë sharmi fisnik duke i shënuar me përkorësi edhe gëzimet, edhe datat historike. Kur ideologjia e la në baltë pas dy vitesh sundim, regjimi albinkurtist iu kthye formave më primitive kulturore. Imazhi i Kurtit, ashtu siç doli nga zyra e tij dhe armata e këshilltarëve, ishte ai i njeriut që feston ditëlindje, kujton ditëvdekje, merr pjesë në dasma, varrime e të pame. Po të kuantifikoheshin aktivitetet e tij gjatë këtyre gjashtë viteve, me siguri përqindjen më të madhe do ta zinin urimet e ditëlindjeve, obituaret e përzishme dhe prania në zijafete e të pame. Këtu nuk ka fituar asnjë trohë modeli i politikanit të thjeshtë, por është etabluar një model i barbarizuar që shtetin e ka kthyer në nivel parashtetëror. Kur ai ulet në sofër me një imam analfabet e bashkë hanë pasul nga vekshi, kjo nuk është një vaki që i paraprinë zgjedhjet. Marrëzia është se gjashtë vite të tëra kaluan po kështu, një gjendje ku normaliteti është i suspenduar, një gjendje ku kryeministri nuk shkon në Prokurori kur ftohet, por rri gju-më-gju me imamët e fshatit, me pleq gojështhurur e kopukë rrugësh.
Col Mehmeti
Ekzistojnë disa momente rrallësisht interesante në botë kur krejt papritur një ideologji nuk nxjerr zë nga goja.
Ajo armë e fuqishme që dikur e shpjegonte kompleksivitetin e botës me një minimum fjalësh, tani duket më keq se baroti i lagur.
Ernest Gellneri i kishte bërë një skicë fare të bukur Botës Lindore në fillimvitet ‘90 ku secili e braktiste anijen e komunizmit pa ndjerë keqardhje për të.
Sa herë që rrëfimet e mëdha sa një bina bëhen copë e grimë, njerëzia priren të rikthehen te tabiatet e shprehitë e moçme.
Në primitivizëm njerëzit gjejnë njëfarë jastëku prehje kur gjërat e kanë marrë tatëpjetën.
Ai që dukej si ‘progres’ këmbehet tregtarçe me format më tradicionale që dikur përqesheshin si prapanike.
Regjimi albinkurtist i harxhoi fare herët bateritë ideologjike.
Si kaloi ‘muaji i mjaltit’, si të thuash pak para 2023-s, albinkurtistët e panë që jeta nën regjimin e tyre mund të dinamizohet vetëm kur sajohen kriza e drama.
Kështu filloi saga e madhe për veriun e çliruar i cili duhet të riçlirohet disa herë në vit në varësi të nevojës për adrenalinë kolektive.
Kur veriu u konsumua dhe rrëfimet e çlirimit nisën të teptisen si fasada e dobët e një ndërtese, Kurtit i duhej të ishte edhe më tutje popullor. Por si?
Fabrika nuk hapte dot se vendin e ktheu si front lufte para kamerave të huaja me paralajmërimet e tij për ré lufte.
Për vende të reja pune as që bëhej fjalë.
Kur nuk vlejnë më as bojërat e ideologjisë, atëherë imazhi i popullorit stiset duke u bërë i afërt me personazhe nga katet e poshtme të shoqërisë.
Duhet të bëhesh një çikë edhe dilinxhi, edhe mangup, edhe kështu, edhe ashtu.
Ishte koha kur krejt nocionet shtetndërtuese nisën të substituoheshin me forma popullore e parashtetërore.
Ai u bë kryeministër rekordmen në historinë shqiptare që uroi më së shumti ditëlindje në Facebook, shkroi më së shumti mevlude përkujtimore, mori pjesë në qindra varrime e mijëra të pame.
Një agjendë fort bizare po të mos ishte pjesë e një mbijetese për gjynah, ku politika e pandershme populiste shtrihet këmbëkryq edhe midis formave më primitive kulturore vetëm e vetëm që ta gjallërojë fanbazën.
Harrojmë se ishte një kohë kur Zyrës së Kryeministrit e Ministrisë së Punëve të Jashtme i vinin brenda javës dhjetëra ftesa për samite, njoftime për takime me burrështetas të huaj, paralajmërime vizitash miqsh të mëdhenj, ide, propozime e nisma.
Ishin vitet kur vendi pati një njeri të madh.
E tillë ishte Kosova deri më 2014 ku shpresa, ideali e vullneti ngarendnin edhe përtej mundësive tona.
Asnjë civilizim nuk do ta kuptonte lavdinë e vet nëse në një fazë të tij nuk do të përplasej hundë-e-buzë në baltën e madhe të inferioritetit.
Ai momenti kur si në teatër bie perdja e civilizimit që po perëndon dhe hapet skena
tjetër ku barbarët thyejnë e shkatërrojnë me çomange statujat e mermerta.
Si do të kuptohej inkadeshenca e Thaçit nëse nuk do të ishte barbaria e Kurtit?
Si do të kuptohej mrekullia e Thaçit tek shtrëngohej miqësisht nga Bideni nëse nuk do të ishte Kurti që me një imam fshati ulen e hanë një veksh pasul?
Si do të kuptohej normaliteti i botës që treti e mbeti si kujtim nëse nuk do të ishte çmenduria populiste ku barbarët nxjerrin edhe xhindin nga shishja vetëm e vetëm që shpirti i turmës të mbahet i gjallë?
Ishte një kohë kur vendi, megjithëse ende nën hijet e një reputacioni të ngarkuar me paragjykime, sillte konzorciume amerikane këndejpari, dhe kryeministri gjatë ditës merrte në telefon burrështetas e diplomatë nga krejt hemisfera perëndimore.
Bota e Thaçit dhe bota e albinkurtistëve si dy gjendje të ndryshme të një historie ku një shoqëri heq dorë nga ndërtimi dhe jepet pas dalldisë së shkatërrimit.
Kohërat e çmendura sollën njerëz të dalë menç, dhe tani konzerciumet amerikane janë aq të paimagjinueshme sa dhe personazhet e një përralle dimri.
Tani investimet maten me thasë betoni ku rindërtohen ‘xhami’ që armëzohen si fitore të tribusë.
Diçka është e kalbur në shtetin e Danimarkës, kjo ofshamë shekspiriane që zëron dhembjet tona.