Dialog me Emil Cioranin
E frikshme është kur një regjim e merr paranë publike dhe e shpërndan në formë lëmoshash. Më e frikshme akoma është njerëzia që, pas një rezistence të vogël, nisin të mësohen me idenë e diçkaje të falur. Dhe ferri mbi tokë vjen kur e pëlqejnë paranë e ‘falur’ nga shteti.
***
Logjika e njerëzve të bërë albinkurtistë: i duan zgjedhjet si Ditën e Bajramit. Edhe zgjedhjet, edhe Bajramin, i bën bashkë përfytyrimi çamarrok se dikush të sjellë diçka.
***
Mrekullimi im me një qytetërim kurrë nuk ka të bëjë me të mbërrimet teknologjike. Magjepsem vetëm nga një gjë fare e thjeshtë: trotuaret e pastra e të hijshme kur janë shtruar dorëmjeshtërisht me kocka. Di të bëj dallime, di të kap nuanca, di madje edhe të bëj tipologji të tyre. Trotuaret e qytetit tim janë lugje-lugje e plasa-plasa. Shenjë e një populli që besoi se ishte i mbitalentuar dhe nga marazi se nuk iu njohën meritat e bëri mut punën si një piktor që i neveritur e hedh tej kanavacën e tij.
***
Një ish ministër i Kurtit që iku në Tiranë një ditë po e pinte qesim kafenë në tarasën e një lokali me saksi lulesh. Kafeneja mund të quhej me një emër aq sharmant francez sa të mos kemi nevojë ta dimë. Syzet e diellit ia jepnin pamjen e njeriut të suksesshëm që e thith nektarin e një jete pa derte. Kjo ka qenë ideja ime e lumturisë: t’i kem dy qytete, dy jetë, dy botë. Njërin qytet ta bëja eksperiment, kurse në tjetrin ta pija kafenë duke menduar sesi mund të bëhej më mirë eksperimenti i shkuar huq ose si do të bëhej më mirë eksperimenti i radhës.
***
Jemi mpakur numerikisht si popull si të na kishte firuar mortja. Ka ustahë më pak, ka sportisë më pak, tifozë më pak. Vetëm numri i poetëve i ka mbijetuar emigrimit, madje ky fis është shtuar si në kohërat paraindustriale. Para se të dua të jem poet, do të doja të kisha rreth vete njerëz që e pëlqejnë poezinë e dobët. Poetët tanë gjithmonë gjejnë duartrokitës.
***
Me një mik nuk jemi parë nga 1996-a kur doli me të vetët në Luksemburg. E rinjoha pa asnjë vështirësi, ai mezi më rinjohu dhe vetëm pas shpjegimesh të gjata. Prita ta gjeja një copë Luksemburg e një botëpamje, hajt të themi, luksemburgase. I kishte veç ato tabiatet e fëmijërisë. Buzëqeshjen e brendshme ma ktheu ideja se është e mundur t’i mbyllësh kanatat e vetes, të izolohesh, të jetosh tridhjetë vite midis Evrope, e të mbetesh me veset e tua.
***
Rilindësit e donin Shqipnín me dashuri qiellore. Na duket se atdheu e populli i tyre ishin vërtet përsosuri aq e madhe sa e tejkalojnë edhe kognicionin tonë të kufizuar për t’i kuptuar. Rilindësit, në fakt, i dinin më mirë se kushdo tjetër zorrët e një populli të qelbur në varfëri e kulturë osmane, në fanatizëm fetar e padituri. Sot që i dimë cenet e po të njejtit popull, nuk arrijmë të krijojmë asnjë kundërrealitet.