Çka ndodhi? Pse Kurti dhe VV nuk duan të shkojnë në Klan, T7 dhe TV Dukagjini - NACIONALE

Çka ndodhi? Pse Kurti dhe VV nuk duan të shkojnë në Klan, T7 dhe TV Dukagjini

2 javë më parë

nga Berat Buzhala

A e mbani mend kur Kurti e ftonte në debate Hashim Thaçin?

A e mbani mend njëherë, kur i ka thënë Thaçit: "Merr ti Behgjet Pacollin, unë po e marr Xhelal Sveçlën, dhe hajde të shkojmë në një studio televizive"?

Prej asaj kohe nuk kanë kaluar as 5 vjet, por sot Kurtit, për t’i prekur prapanicën me zhiletë dhe për t’i shpuar hundën me tel, nuk guxon të dalë në debat politik në një studio televizive, jo me Thaçin, por as me analistët e Televizionit RTV21 dhe ATV, të cilët dihet botërisht që janë më të ndershëm.

Jo vetëm Kurti, por asnjë ministër i tij.

Ata ishin më kurajozë dhe trimëra kur kishin 10-15 përqind të votave të Kosovës, se sa kur morën 50 përqind.

Ishin më të guximshëm kur ecnin nëpër trotuare pa gardh, sesa kur hipën në xhipa të zi dhe kur i ruajnë 10 roje.

Çfarë do të thotë kjo?

Pse, brenda një periudhe kaq të shkurtër, Vetëvendosja i izoloj?

Kjo do të thotë që sa më shumë që ti dhe rrethi yt vjedhni, aq më shumë kini frikë të dilni për t’u përballur me gazetarët, analistët dhe kundërshtarët politikë.

Kjo do të thotë që trimëria, guximi dhe kurajoja nuk lidhen me numrin e votave, por me numrin e aferave korruptive.

A e ke parë kur je në opozitë, si s’pranon të shkosh nëpër debate?

Na kanë thënë dy gjëra që njeriut nuk mund t’i mbesin kurrë të fshehta: sëmundja dhe varfëria.

A e keni parë si kanë ndryshuar prej kur kanë marrë pushtetin, qoftë edhe si pamje e jashtme?

Njëri ka shtuar 15 kile bark, tjetri ka hequr dhëmbët, tjetri ka mbjellë flokët, kurse një i katërt atje ka rregulluar hundën. Mos të flasim pastaj për shtëpitë në Marigonë, dhe për fëmijët që i dërgojnë të studiojnë jashtë shtetit, ose që jetojnë në shtete të tjera.

Pra, vetëm këto detaje periferike, që janë nuanca estetike, por që nuk janë as presje dhjetore në sasinë e vjedhjeve dhe abuzimeve që këta kanë bërë në katër vitet e fundit, i trembin nga çdo përballje.

Lajmi i fundit është se Lëvizja Vetëvendosje i ka thirrur drejtorët e televizioneve kryesore në vend, Klanin, Dukagjinin dhe T7-në, dhe u ka thënë se nuk do të marrin pjesë në debatet politike që këta do t’i organizojnë.

Janë pikërisht këto televizione që tani i konsiderojnë si televizione të oligarkëve, që e kanë sjellë në pushtet Albin Kurtin.

Për shembull, në shërbim të propagandës, për të bërë të duket se të dyja po dridhen nga Albin Kurti, Televizioni Dukagjini, atëherë, pra në vitin 2020/21, dhe menaxheri i rrjeteve sociale, njëfarë Hekurani, ishin caktuar nga Arlind Manxhuka, përkatësisht nga LVV.

Arlind Manxhuka ishte ‘de facto’ producent i "Debat Plusit". Ndoshta është ende.

"Debat Plusi" i kishte lënë të blejnë "viewsa", për t’u dukur që Albini po arrinte 100 mijë shikime në kohë reale.

Edhe atëherë pronar ishte Ekrem Lluka. Në T7 ka qenë Klodi, kurse në Klan ka qenë Shkelqimi.

Pasi morën pushtetin dhe filluan të vjedhin, intervistat El Jefe i jep në TV Kamenica, në Kosova Press, në Bosnje, në TV-në e Rilind Gërvallës, ose në emisionin me titull "Në shtrat me Rronin dhe Xenin".

Albini e di se me Ermalin ndoshta mund ta lidhte kokën, por nuk mund ta lidhte kokën me Lirimin, me Visarin, me Dardanin dhe me Astritin.

Kështu që, mënyra e vetme për të kamufluar vjedhjet është të mundohen të shesin politiken e tyre të re përballë mediave si parimore.

Do të thonë se nuk po shkojnë në televizione të oligarkëve, sepse ata paskan vjedhur me pushtetet e kaluara.

Nëse kanë vjedhur, ose nëse kanë abuzuar me pushtetet e kaluara, periudha kohore kur ata e kanë bërë këtë, në vitin 2020 dhe 2021, është më afër se sa në vitin 2025.

Lajme të ngjashme