Çfarë po ndodh në Mynih të Gjermanisë, a po e braktis SHBA Evropën? - NACIONALE

Çfarë po ndodh në Mynih të Gjermanisë, a po e braktis SHBA Evropën?

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

Evropa ka mbetur e shtangur, pas fjalimit që Zëvendëspresidenti i Amerikës, JD Vance, e mbajti në të ashtuquajturin samit të sigurisë, që çdo vit mbahet në kryeqytetin e Bavarisë.

Berat Buzhala

Po e fillojmë me duartrokitjet. Dje, Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, JD Vance, gjatë fjalimit në Mynih, as që provoi të merrte duartrokitje prej aleatëve. Ai kishte ardhur në Evropë dhe Gjermani për të marrë vëmendje për çdo fjalë që do ta thoshte.

Këtë e bëri të ditur që në fillim të fjalimit, se nuk kishte ardhur në kontinentin e vjetër, në mesin e aleatëve, për të marrë dashuri, por për t’u thënë ca të vërteta të munguara, që po mbaheshin nën tepih tash e kushedi sa dekada.

Kur Donald Trump fitoi në zgjedhjet e vitit 2016, aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u patën frikësuar që do të ndodhte ajo çfarë po ndodh sot në mes të raporteve të tyre me këtë superfuqi.

Në katër vitet e para të mandatit të tij të parë, Donald Trump i kishte duart e lidhura. I gjithë kabineti i tij, përfshirë zëvendëspresidentin, Mike Pence, i takonin elitës republikane, të cilët në politikën e tyre të jashtme ishin po ata që kishin qenë në pushtet që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Mundësitë e Trump-it për të bërë ndryshime tektonike gjeostrategjike ishin minimale. Trump lëshonte fjalë kohë pas kohe, tregonte se çfarë donte të bënte, mirëpo, të mos harrojmë, këshilltar për Siguri Kombëtare e kishte John Bolton, kurse sekretar të mbrojtjes e kishte gjeneralin me katër yje Jim Mattisin, që të dy këta me pikëpamje tradicionale sa i përket miqve dhe armiqve të Amerikës.

Kështu, për shembull, në samitin për siguri në Mynih në vitin 2017 kishte marrë pjesë zëvendëspresidenti Mike Pence, i cili i kishte siguruar partnerët e NATO-s dhe partnerët evropianë se asgjë nuk kishte ndryshuar, se Amerika e mban përgjegjëse Rusinë për tensionet në Ukrainë. Pence u kishte kërkuar partnerëve të NATO-s që të rrisnin kontributet financiare për NATO në 2 për qind të buxhetit të përgjithshëm.

Kaq.

Në vitin 2017, disa herë gjatë fjalimit të tij Pence ishte ndërprerë nga duartrokitjet e të pranishmëve.

Kurse, në vitin 2025, kishte raste që për fjalimin e JD Vance, prej mbi 700 mysafirëve në sallë, po duartrokisnin vetëm dy-tri të pranishëm. Ndoshta edhe ata ishin amerikanë.

JD Vance e parandjeu që në fund të fjalimit ai nuk do të pritej mirë. Në fillim të fjalimit të tij ai e dënoi sulmin terrorist që ndodhi këto ditë në Gjermani dhe tha se Amerika qëndronte me gjermanët, për ç’gjë mori duartrokitje të fuqishme.

“Shpresoj që kjo të mos jetë duartrokitja e fundit që do të ma jepni”, tha ai dhe kishte të drejtë, ishte e fundit. Pastaj, pas çdo fjalie dhe pas çdo paragrafi të tij, të pranishmit ngriheshin.

JD Vance i sulmoi shtetet evropiane se në emër të lirisë së shprehjes po e cenzuronin lirinë e shprehjes, i akuzoi shtetet evropiane, specifikisht Suedinë, për dënimin që i bënë një të krishteri që e kishte djegur Kuranin, kurse gjithashtu i akuzoi shtetet evropiane për anulimin e zgjedhjeve në Rumani, ku kishte fituar një kandidat i afërt me Rusinë.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, një nga një, pasi e mbaroi fjalimin e tij, JD Vance e takoi sy më sy lideren e partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani, Alice Weidel, nga AfD, subjekt politik ky që mbahet i izoluar nga pjesa tjetër e politikës gjermane.

Në Gjermani ekziston një mur mbrojtës në mes të të gjitha partive dhe AfD-së, për të mos bashkëpunuar me të, për shkak të dyshimeve që ky subjekt politik ka afërsi me ideologjinë naziste.

Nuk është vetëm JD Vance që po e mbështet AfD-në. Përpara tij, hapur pro AfD-së, doli edhe këshilltari kryesor i Trump-it, njeriu më i pasur në botë, Elon Musk. Ai po vazhdon ta përsërisë se “AfD është partia e vetme që mund ta shpëtojë Gjermaninë”.

Anash kësaj, trumpistët po i mbështesin hapur edhe partitë dhe politikanët tjerë evropianë, që konsideroheshin deri dje ekstremistë, si Orbanin në Hungari, Melonin në Itali, Le Penin në Francë etj.

Me fjalë të tjera, amerikanët kanë zbarkuar në Evropë për ta ndryshuar ideologjikisht kontinentin. Mbetet të shihet nëse do t’ia dalin, sepse Evropa edhe më tutje nuk duket e gatshme, mirëpo problemi i Evropës është se i duhet mbështetja ushtarake amerikane për ta mbrojtur nga Rusia.

Prandaj, e gjendur në mes të kudhrës dhe çekiçit, udhëheqësja e re e politikës së jashtme evropiane, Kaja Kallas, deklaroi që amerikanët po duan të konfrontohen me ne, por ne nuk duam të konfrontohemi me miqtë tanë.

Nuk ishte veç JD Vance që zbarkoi në Evropë si një uragan. Para tij, të çuditshme për standardet evroatlantike ishin edhe qëndrimet e sekretarit të ri të mbrojtjes, Pet Hegseth, i cili mezi u konfirmua në Senat.

Hegseth tha se askush të mos presë që Rusia do t’i lëshojë territoret e fituara në Ukrainë, kurse Evropa le të përgatitet për të paguar më shumë për sigurinë e kontinentit.

Kur jemi te Ukraina. Presidenti Trump ka biseduar një orë në telefon me Vladimir Putinin dhe një orë me Volodimir Zelenskin. Pas këtyre bisedave, Trump është deklaruar optimist për një zgjidhje të shpejtë të kësaj krize, por që shumëkush në kryeqytetet evropiane është duke e tundur kokën me mosbesim, sepse ata edhe më tutje ende nuk kanë asnjë informacion se për çfarë paqeje po bëhet fjalë.

Deri më tash, SHBA e ka ndihmuar Ukrainën gjithsej me rreth 300 miliardë dollarë armatim dhe ndihma të tjera. E gjithë Evropa bashkë e ka ndihmuar me 100 miliardë dollarë. Kjo flet shumë për Evropën. Dëshirojnë të pyeten falas. Trump e urren këtë gjë.

Jo vetëm kaq. Trump dhe ekipet amerikane janë duke biseduar tash së fundmi me qeverinë e Ukrainës që këta t’ia japin SHBA-ve disa minerale tepër të çmuara dhe tepër të rralla që i ka toka e tyre, në këmbim të ndihmës. Pra, s’ka më falas.

Çfarë do të ndodhë me NATO-n?

Mesazhet nga administrata Trump janë mikse. Njëri të flladit me ujë të ftohtë, tjetri të përvlon me ujë të nxehtë. Ajo çfarë dihet me siguri të plotë është që evropianët duhet të paguajnë shumë më shumë, nëse duan ta mbajnë Amerikën afër. Kërkesa prej 2 për qind të buxhetit ka shkuar në 5 për qind. Vetëm Britania e Madhe, Polonia dhe shtetet e Baltikut duken të gatshme të shpenzojnë kaq shumë.

Këto zhvillime kaq të pazakonshme do të kenë ndikim edhe në rajonin tonë. Pas zhvillimeve në Ukrainë dhe Baltik, Ballkani është epiqendra kujdestare për çdo konflikt të ri në Evropë. Për dallim nga e kaluara, kësaj here aleatët tradicionalë të Rusisë janë të izoluar nga vendet e NATO-s. Prandaj Rusia do të mund të zgjatej në këtë pjesë, vetëm në rast se NATO pushon së ekzistuari, apo dobësohet deri në atë masë sa mbetet vetëm një OJQ.

Kushdo që ka lexuar ose e kupton deri diku filozofinë politike të JD Vance, e di që ai as nuk është pro rus, e as kundër aleancës me Evropën. Çfarë ai po provon të bëjë është ta korrektojë kulturalisht politikën evropiane, që sipas krerëve të MAGA ka ikur edhe shumë majtas edhe shumë “woke”.

Përndryshe, JD Vance, në një intervistë të tij të gjatë që e kishte dhënë për gazetarin konservator të The New York Times, Ross Douhat, shumë kohë para se të nominohej për zëvendëspresident, kishte treguar që vizioni i tij për Ukrainën ishte që lufta të ndalej aty ku ndodheshin ushtarët. Rusët të merrnin pjesën e tyre, Ukraina pjesën e saj. JD Vance kishte thënë në atë intervistë se aty edhe duhet të përfundojë ambicia ruse për territoret e tjera evropiane, përfshirë këtu edhe Evropën Lindore.

Lajme të ngjashme