“Bordi i Paqes” i Trumpit dhe vlefshmëria juridike e Marrëveshjes Ndërkombëtare - NACIONALE

“Bordi i Paqes” i Trumpit dhe vlefshmëria juridike e Marrëveshjes Ndërkombëtare

3 javë më parë

nga NACIONALE

Davosi i këtij viti nuk prodhoi një arkitekturë të re paqeje, por ekspozoi qartë një realitet tashmë të njohur: diplomacia globale po rrëshqet gjithnjë e më shumë drejt personalizimit, simbolikës dhe marrëveshjeve ad hoc.

Sylë Ukshini

Çfarë ndodhi dy javë më parë në Davos? Ndryshe nga Jalta e Krimesë e vitit 1945, në këtë qytet malor zviceran u mblodhën rreth 3 000 liderë nga mbi 130 vende, në kuadër të World Economic Forum, për të diskutuar bashkëpunimin, inovacionin, investimin te njerëzit dhe rritjen ekonomike brenda kufijve planetarë — nën moton optimiste “A Spirit of Dialogue”. Kryetarë shtetesh, drejtues korporatash, figura kulturore dhe zëra të shoqërisë civile ndanë skenën me akademikë, duke riprodhuar edhe një herë atë përzierje karakteristike të idealizmit global dhe pragmatizmit politik.

Por Davosi u eklipsua nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili me qasjen e tij jokonvencionale tronditi agjendën dhe tonin e gjithë politikës globale. Pikërisht në këtë atmosferë dialogu, më 23 janar 2026, presidenti i SHBA-së Donald Trump zgjodhi të organizojë një ceremoni inaugurimi për të ashtuquajturin “Bordi i Paqes” — një gjest tipik i diplomacisë së tij jokonvencionale, ku spektakli politik shpesh i paraprin substancës institucionale. Fillimisht i paraqitur si një format për të menduar të ardhmen e Gazës së shkatërruar, projekti rezulton pa Gazën në statut. Në thelb, “Bordi i Paqes” ngjan më shumë me një këshill personal sigurie i Trumpit sesa me një mekanizëm serioz multilateral — pavarësisht zërave që nxituan ta shpallin si alternativë ndaj United Nations, një organizatë që tashmë bart mbi vete hijen e dështimeve historike, përfshirë edhe BosnjënNga 193 shtetet anëtare të OKB-së, një numër i konsiderueshëm liderësh u rreshtuan në Davos për të hedhur nënshkrimin e tyre – mes tyre edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ironikisht, ajo që sot shfaqet e entuziazmuar për këtë iniciativë, në vitin 2020 e kishte dënuar ashpër marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar nga ish-kryeministri i partisë së saj.

Kjo sjellje pasqyron jo vetëm fleksibilitetin e aleancave të vogla në politikën ndërkombëtare, por edhe mënyrën se si iniciativa të tilla përdoren për konsum të brendshëm dhe kapitalizim personal politik. Ndërkohë, vetë Trump vazhdon të operojë jashtë kornizave tradicionale diplomatike, duke preferuar formate ad hoc, marrëveshje të shpejta dhe struktura paralele – një stil që sfidon drejtpërdrejt arkitekturën klasike të rendit liberal ndërkombëtar.

Historia na ka mësuar se jo çdo ujdi ndërkombëtare është e mirë për të gjithë. Edhe marrëveshje me peshë historike, si ato të pas Luftës së Dytë Botërore, kanë pasur defektet dhe pasojat e tyre afatgjata. Prandaj, është ende shumë herët për të brohoritur se ngjarja e Davosit mund të shndërrohet në një zëvendësim të OKB-së apo të mekanizmave ekzistues multilateralë.

Megjithatë, ajo që Davosi e bëri të dukshme është diçka tjetër: një tronditje e qartë e rendit aktual ndërkombëtar. Iniciativa si “Bordi i Paqes” sinjalizojnë një zhvendosje nga diplomacia institucionale drejt diplomacisë së personalizuar, ku liderët e fuqive të mëdha tentojnë të imponojnë formatet e tyre, shpesh pa konsensus global dhe pa legjitimitet të gjerë ndërkombëtar.

Në këtë kuptim, Davosi nuk është ende një “Jaltë e re” – por është padyshim një simptomë e një bote në tranzicion, ku rregullat e vjetra po dobësohen, ndërsa të rejat ende nuk janë konsoliduar.

Në kontrast, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zgjodhi ta shmangë këtë skenë – jo pa arsye. Rama duket se ka preferuar të evitojë keqkuptime me partnerët e tij në BE, prej të cilëve pret hapjen e derës për anëtarësimin e Shqipërisë deri në vitin 2030. Si zakonisht, ai e mbuloi këtë distancim me batuta jokonvencionale, duke ironizuar se mes Trumpit dhe vajzës së tij, ai kishte zgjedhur të qëndronte me vajzën e Trumpit në Vlorë, ku pritet një investim i rëndësishëm për Shqipërinë.

Ndërsa Rama u tregua i përmbajtur dhe i kalkuluar në distancimin e tij nga kjo skenë, Osmani nuk arriti ta frenojë ekzaltimin e pjesëmarrjes në këtë forum. Politikisht, ajo nuk ka shumë për të humbur – përkundrazi, kjo lëvizje mund të shndërrohet në kapital elektoral në funksion të rizgjedhjes së saj.

2/3

Sipas gazetarit të njohur të Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, është e qartë se Osmani “u shfaq në Zvicër me krenari krah presidentit amerikan dhe që atëherë flet për arritjen e madhe që, sipas saj, përfaqëson fakti se vendi i saj u bë anëtare themeluese e këtij formacioni”. Martens shkon edhe më tej, duke sugjeruar se afrimi me rrethin familjar të Donald Trumpit perceptohet nga Osmani si një investim politik afatshkurtër, i orientuar drejtpërdrejt drejt sigurimit të një mandati të dytë presidencial.

Më interesant është një tjetër detaj që nxjerr në pah Martens: sipas informacioneve jozyrtare nga Prishtina, Osmani e ka ndërmarrë këtë hap pa koordinim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Përkundrazi, thuhet se ka qenë Rama ai që ia ka siguruar Osmanit hyrjen tek Trumpi. Një lojë e ndërlikuar ballkanike: nga njëra anë Rama shfaqet si mbështetës politik i Osmanit – nuk eshte krejt e qarte lëvizja e tij, është mesazh politik për opozitën e ndoshta për PDK qe ta mbështesin kandidaturën e saj apo kjo lëvizje mund te lexohet si kundërpeshë ndaj Kurtit.

Kjo nuk është aspak e pazakontë për stilin politik të Ramës, por një pragmatizëm i njohu i kryeministrit shqiptar: ai çdo lëvizje e peshon mire deri në detaj, madje çdo fjalë në fjalim e redakton personalisht, prandaj është një llogarie të ftohtë politike. Rama e di saktë çfarë do dhe ku synon. Pikërisht për këtë arsye, kjo afri e papritur me Osmanin mbetet për t’u parë se çfarë interesi strategjik real fsheh prapa vetes. Duhet pranuar se kompasi i tij politik operon në një gjeografi shumë më të gjerë se kufijtë kombëtarë, gjë që shpesh e bën të vështirë ta ndjekësh logjikën e çdo lëvizjeje në kohë reale. Sidoqoftë, pavarësisht kalkulimeve personale apo manovrave taktike, kjo ndërhyrje nuk i ka shërbyer vetëm Vjosa Osmanit si figurë politike; në fund të fundit, ajo i ka shërbyer edhe Kosovës, duke i hapur një kanal komunikimi dhe një hapësirë simbolike në një moment delikat diplomatik. Në këtë kuptim, edhe kur vepron përmes pragmatizmit ekstrem, Rama mbetet aktor që e sheh politikën si art të pozicionimit strategjik – dhe duke pasur këtë pikënisje ai ia ka dalë ta katapultojë Shqipërinë lart dhe t’i japin imazhin që nuk e kishte ndonjëherë më parë.

Vlefshmëria juridike e Marrëveshjes Ndërkombëtare

Presidentja e Republikës së Kosovës ka kompetencë kushtetuese për të përfaqësuar shtetin dhe për të nënshkruar akte në nivel ndërkombëtar. Por nënshkrimi nuk është i barabartë me vlefshmëri juridike.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, marrëveshjet që lidhen me paqen, sigurinë, çështjet politike, sovranitetin apo anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk fitojnë fuqi detyruese vetëm përmes nënshkrimit presidencial. Këto kategori marrëveshjesh konsiderohen si marrëveshje me peshë të veçantë shtetërore dhe, për këtë arsye, i nënshtrohen një procedure të posaçme kushtetuese: ato duhet të ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretash të deputetëve. Kjo dispozitë synon të garantojë legjitimitet demokratik dhe kontroll institucional mbi vendime që prekin interesat themelore të shtetit. Në praktikë, kjo do të thotë se Presidentja mund të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe të nënshkruajë dokumente politike, por këto akte nuk krijojnë obligime juridike për shtetin pa miratim parlamentar. Me fjalë të tjera, nënshkrimi presidencial është një akt përfaqësimi, jo akt finalizimi juridik.

Ky mekanizëm është ndërtuar pikërisht për të shmangur personalizimin e politikës së jashtme dhe për të siguruar që vendime me pasoja afatgjata të mos merren në mënyrë të njëanshme, por përmes një procesi kolektiv, transparent dhe kushtetues, ku Kuvendi mban rolin përfundimtar.Po ashtu, Ligji për Marrëveshjet Ndërkombëtare e përcakton qartë se nisma për lidhjen e çdo marrëveshjeje ndërkombëtare duhet fillimisht të miratohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përpara se Presidentja të autorizohet për nënshkrim ose të ndërmarrë veprime formale në emër të shtetit. Ky parim synon të sigurojë që politika e jashtme të mos personalizohet, por të zhvillohet në kuadër të një procesi të koordinuar institucional, ku Qeveria mban përgjegjësinë ekzekutive për negociimin dhe përmbajtjen e marrëveshjeve.

3/3

Presidentja mund të nënshkruajë një akt përfaqësimi politik ose një dokument deklarativ, por pa një vendim paraprak të Qeverisë dhe pa ratifikim nga Kuvendi, një nënshkrim i tillë nuk krijon obligime juridike për shtetin e Kosovës. Në këtë kuptim, ai mbetet një akt simbolik, pa efekt detyrues në rendin juridik të brendshëm. Kjo ndarje e qartë kompetencash është pjesë e arkitekturës kushtetuese që synon të garantojë kontroll demokratik, transparencë dhe përgjegjësi institucionale në çështje që prekin drejtpërdrejt sovranitetin dhe interesat strategjike të vendit.

Kjo nuk është çështje interpretimi politik, por ndarje kushtetuese e pushteteve:

• Presidentja përfaqëson,

• Qeveria nismon dhe negocion,

• Kuvendi vendos dhe obligon shtetin.

Shteti nuk ndërtohet me simbolikë të njëanshme, por me procedurë, legjitimitet dhe përgjegjësi institucionale.

“Bordin e Paqes” si alternativë të OKB-së ?

Në fund të fundit, ajo që pamë në Davos nuk ishte lindja e një rendi të ri ndërkombëtar, por simptomë e shpërbërjes graduale të atij ekzistues. Kur diplomacia reduktohet në ceremoni, kur marrëveshjet shndërrohen në deklarata politike pa fuqi detyruese dhe kur liderët veprojnë jashtë kornizave institucionale, atëherë nuk kemi të bëjmë me paqe të qëndrueshme, por me menaxhim krizash të paketuar si sukses diplomatik.

Për Kosovën, kjo është një zonë e rrezikshme. Simbolika ndërkombëtare nuk e zëvendëson legjitimitetin kushtetues. Fotografitë në Davos nuk e zëvendësojnë ratifikimin në Kuvend. Dhe afrimet personale nuk mund të marrin vendin e politikës shtetërore të koordinuar. Në një botë ku fuqitë e mëdha po testojnë kufijtë e rendit liberal, shtetet e vogla duhet të jenë edhe më të kujdesshme: të mbështeten te procedura, te ligji dhe te institucionet, jo te karizma e momentit.

Nga ana tjetër, loja e aktorëve rajonalë – pragmatizmi ekstrem i Ramës, kalkulimet elektorale të Osmanit dhe tensionet e brendshme në Prishtinë – tregon se Ballkani vazhdon të funksionojë si laborator i realpolitikës. Këtu, interesat personale dhe ato shtetërore shpesh mbivendosen, ndërsa parimet mbeten elastike.

Davosi na kujtoi një të vërtetë të vjetër: jo çdo ujdi ndërkombëtare është e mirë për të gjithë. Edhe marrëveshjet historike kanë prodhuar padrejtësi afatgjata. Prandaj, është ende herët për të shpallur “Bordin e Paqes” si alternativë të OKB-së. Ajo që është e qartë, megjithatë, është se rendi aktual ndërkombëtar po tronditet – dhe në këtë tranzicion, vendet si Kosova nuk kanë luksin të mbështeten te spektakli. Ato duhet të mbështeten te shteti, te procedura dhe te legjitimiteti institucional. Davosi i këtij viti nuk prodhoi një arkitekturë të re paqeje, por ekspozoi qartë një realitet tashmë të njohur: diplomacia globale po rrëshqet gjithnjë e më shumë drejt personalizimit, simbolikës dhe marrëveshjeve ad hoc, ku fotografia zëvendëson substancën dhe deklarata politike tenton të marrë vendin e angazhimit juridik ndërkombëtar. Për Kosovën është jetike që vendin e kalkulimeve dhe impulseve momentale ta zë aksioni për ndërtimin e politikës së jashtme mbi interesa afatgjata nacionale.

Lajme të ngjashme