Zyrtari ukrainas: Rusët e kanë kërkuar nga komandantët largimin nga Limani, u është mohuar
Një zyrtar i lartë ukrainas ka thënë se trupat ruse në qytezën lindore ukrainase, Liman, kanë kërkuar nga udhëheqësit e tyre që të largohen nga qyteti, por kërkesa u është refuzuar.
Kryetari i rajonit Luhansk, Serhiy Haidai, thotë se ushtarët rusë tash kanë dy mundësi: të mundohen që ta thyejnë rrethimin e forcave ukrainase ose të dorëzohen, raporton televizioni BBC.
Haidai shtoi se gati të gjitha rrugët e tërheqjes dhe furnizimit për në Liman tashmë janë bllokuar.
Pretendimi i tij nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur.
Të premten, Denis Pushilin, udhëheqësi i vendosur nga rusët i rajonit Donetsk, tha se qyteza Liman është “gjysmërrethuar” dhe se forcat ruse po rezistojnë “me pjesën e fundit të fuqisë së tyre”.
Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha të shtunën se Ukraina ka rrethuar mijëra trupa ruse në qytezën Liman, bastion kritik për Moskën, në një operacion që ende është duke vazhduar.
Kapja e kësaj qyteze, të cilën Rusia e ka përdorur si qendër transporti e logjistike për operacionet e saj në veri të rajonit Donetsk, do të ishte hap i madh prapa për planin e Kremlinit për ta aneksuar tërë rajonin industrial të Donbasit, raporton agjencia “Reuters”.