Zyba e quan "kërcënim ndaj Qeverisë" paralajmërimin e Haradinajt për "ata që rrezikojnë ushtarët amerikanë në Kosovë"
Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, e ka quajtur “kërcënim të hapur për Kryeministrin Kurti edhe qeverinë e Republikës së Kosovës”, postimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha ndër të tjera se “kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, as nuk i takon Kosovës dhe as nuk do t’i takojë Kosovës. Është vetëm kundër Kosovës. Dhe, si armik i Kosovës do të trajtohet!”.
“Nëse statusin e Ramush Haradinajt nuk e marrim si kërcënim të hapur për Kryeministrin Kurti edhe qeverinë e Republikës së Kosovës atëherë po pajtohemi që askush më nuk e merr seriozisht”, ka thënë Zyba në reagimin e tij në Facebook.
Ish-kryeministri Haradinaj reagimin e tij e bëri pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, për REL se “hapja e urës tash do të rrezikonte ushtarët e KFOR-it.”
Shkrimi i Haradinajt në Facebook:
Kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, as nuk i takon Kosovës dhe as nuk do t’i takojë Kosovës. Është vetëm kundër Kosovës. Dhe, si armik i Kosovës do të trajtohet!
Prandaj, ose do të jetë në burg ose do të ikë e fshehet nga Kosova! Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen!
P. S
Të gjithë ju që keni përgjegjësi shtetërore, nëse e gjeni veten këtu, pas lutjes (edhe publike) amerikane për Qeverinë e Kosovës, dijeni se s’do ta keni mbrojtje petkun që ju mbështjellë përkohësisht!