Zubin Potok: Identifikohen mbetje kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave
Mbetje kockore, që dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve, janë gjetur gjatë gërmimeve dhe ekshumimeve(zhvarrimeve) në një lokacion të dyshuar në Zubin Potok.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Sipas institucioneve, gjetja e radhës është konfirmuar të mërkurën nga ekipet e mjekësisë ligjore, ndërsa identifikimi i plotë i mbetjeve do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim me institucionet tjera kompetente, do të vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale lidhur me rastin.
Aktualisht, për këtë rast po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre ndodhen në paraburgim.
Institucionet kanë thënë se janë të përkushtuara për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur.
Komunikata e plotë:
KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA POLICIA E KOSOVËS, PROKURORIA SPECIALE DHE INSTITUTI I MJEKËSISË LIGJORE
Prishtinë, 19 gusht 2026
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Insitutin e Mjekësisë Ligjore, njofton opinionin publik se, në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin Potok, në lokacionet e dyshuara, të mërkurën është konfirmuar nga mjeko-ligjorët edhe gjetja e radhës.
Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Insitutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikaur mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast.
Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.
PSRK, Policia e Kosovës dhe IML-ja shprehin përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur, dhe çdo zhvillim i ri do të mund të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit.