Zona operacionale e KEK-ut Shpallet “Zonë e Ndaluar për Fluturime” nga KFOR-i
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se KFOR-i ka shpallur zonën operacionale të saj si “Zonë të ndaluar për fluturime” (“No Flight Zone”), me theks të veçantë në ndalimin e përdorimit të dronëve.
Sipas komunikatës zyrtare, KEK-u ka pranuar vendimin e KFOR-it me referencë BKPR:0736/25, i cili ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2025. Ky vendim është ndërmarrë në kuadër të masave për mbrojtjen e infrastrukturës kritike të energjisë në vend.
Në njoftim thuhet se bazuar në Ligjin Nr. 06/L-014 për Infrastrukturën Kritike, objektet dhe asetet e KEK-ut janë të klasifikuara si pjesë e infrastrukturës thelbësore për furnizimin me energji elektrike në Republikën e Kosovës. Rëndësia strategjike e këtyre objekteve ka bërë që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë t’i kushtojnë vëmendje të posaçme mbrojtjes së tyre.
KEK ka shprehur mirënjohje për rolin e KFOR-it në forcimin e sigurisë së kësaj infrastrukture jetike, si dhe ka falënderuar të gjitha institucionet që kontribuojnë në këtë drejtim. Njëherësh, u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë masat ligjore dhe të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka siguria e infrastrukturës energjetike për vendin.