Zogaj: Ligji i Pagave ishte goditje për pavarësinë e gjyqësorit
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj, ka thënë se vendimet e pushteteve kanë cenuar rëndë pavarësinë e gjyqësorit, sa i përket uljes së pagave, teksa ka kërkuar përmbajtje dhe moskomentim të vendimeve të gjykatave, raporton Ekonomia Online.
Në “Ditët e Gjyqësorit” të organizuar nga KGjK-ja, Zogaj ka komentuar edhe Raportin e Komisionit Evropian, duke thënë se gjyqësori është përballur me sfida.
Duke folur për vendimin e Qeverisë me Ligjin e Pagave që gjyqtarëve u ulen pagat, Zogaj e ka quajtur goditje serioze dhe me pasoja të rënda për gjyqësorin.
“Vendimi për uljen e pagave ishte goditje serioze dhe me pasoja të rënda për gjyqësorin e Kosovës sepse përveç se ka cenuar Kushtetutën e vendit e ligjet në fuqi, janë cenuar edhe standardet ndërkombëtare të shprehura mbi opinionet e këshillit të gjyqtarëve evropianë”, u shpreh Zogaj.
“Sjellja e dy pushteteve në raport me gjyqësorin kur merren për bazë parimet e procedurës, nënkupton se kanë cenuar rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe dua të shfrytëzoj këtë konferencë t’u bëjë thirrje për përmbajtje mbi vendimet e Gjykatave”, u shpreh Zogaj.