Zogaj: Kemi prioritizuar rastet e gazetarëve, dënimet janë të ulëta
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se gjyqësori ka prioritizuar rastet e gazetarëve, megjithatë sipas tij politika ndëshkimore në penale është e butë.
Duke folur për raportin e Reporterëve pa Kufij lidhur me indeksin botëror të lirisë së shtypit, në të cilin Kosova është ranguar në pozitën e 99-të, Zogaj tha se ky raport përbën njërin prej lajmeve më të këqija për Republikën e Kosovës.
“Nuk kam ndërmend me përjashtu as përgjegjësinë e sistemit gjyqësor në këtë pjesë, por sigurisht që kjo nënkupton që duhet të kishim një reflektim të përgjithshëm të këtij raporti për shkak se më duket që liria e medias është një prej parametrave për me mat nivelin e zhvillimit të demokracisë në një vend dhe rrjedhimisht të sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, ky raport përfaqëson një alarm edhe për sektorin e drejtësisë në përgjithësi, por edhe për gjyqësorin”, tha Zogaj në emisionin Tempus në KTV.
I pari i KGJK-së tha se vitet e fundit kanë ndërmarrë veprime për të adresuar në mënyrë të duhur rastet e gazetarëve, si në penale ashtu edhe në rastet kur ka padi në tendencë për të penguar punën e gazetarëve- siç njihen paditë SLAPP.
“KGJK-ja me Strategjinë për Qasje në Drejtësi ka prioritizuar këto raste. Në qoftëse e shikojmë me shifra, ne sot kemi diku mbi 600 raste të fyerjeve dhe shpifjeve, ku bëjnë pjesë edhe rastet e gazetarëve”, tha Zogaj.