Zjarri në kufirin Gjermani - Çeki po e rrezikon rajonin turistik
Një zjarr i madh në pyje, në kufirin mes Gjermanisë dhe Çekisë, është duke u përhapur dhe po rrezikon që të shkatërrojë një park kombëtar të popullarizuar.
Zjarri në rajonin e njohur si Zvicra Çeke në territorin çek e Zvicra Saksone në territorin gjerman filloi fundjavën e kaluar. Agjencia gjermane e lajmeve, DPA, raportoi se dukej që zjarri ishte nën kontroll, por u përhap përsëri të enjten në mëngjes.
Qindra zjarrfikës nga të dyja anët e kufirit po luftojnë me flakët me ndihmë edhe nga Polonia e Sllovakia. Tetë helikopterë zjarrfikës po përdoren për ta shuar zjarrin në rajonin malor, ku qasja është e vështirë.
Autoritetet lokale i paralajmëruan turistët që të qëndrojnë larg zonës së prekur nga zjarret.
Zyrtarët shtetërorë të Saksonisë ua ndaluan ngjitësve hyrjen në disa pyje të rajonit. Për t’i parandaluar zjarret e tjera, ata gjithashtu kërkuan nga banorët që të mos hedhin fishekzjarrë në ndeja private.