Zëvendësministri Syla pret në takim udhëheqësen e Komitetit Amerikano-Hebraik
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka pritur sot në takim udhëheqësin e komitetit Amerikano-Hebraik, Avital Leibovich.
Në një njoftim për media, ministria e Mbrojtjes ka treguar se në takim është diskutuar për sigurinë globale, situatën në vend e shumë çështje tjera përfshirë edhe bashkëpunimin në mes dy vendeve.
Sipas njoftimit, Leibovich e ka falënderuar Kosovën për mbështetjen që i ka dhënë Izraelit.
“Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, priti sot në takim udhëheqësen e Komitetit Amerikano-Hebraik, Avital Leibovich. Fillimisht u diskutua lidhur me situatën e përgjithshme në vend dhe mjedisin e sigurisë globale, duke shprehur vullnetin e përbashkët për angazhim të të gjithëve për sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë. Ndër tjerash u përmend edhe bashkëpunimi i mirë në mes të të dy vendeve, duke përfshirë edhe bashkëpunimin strategjik në mbrojtje dhe zëvendësministri Syla theksoi se ky bashkëpunim, i cili i ka themelet nga historia e përbashkët e miqësisë nga e kaluara, është një dëshmi e përkushtimit të të dy vendeve për paqe dhe siguri, duke ndarë vlera të përbashkëta demokratike dhe qëndrueshmëri në sfidat globale. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që është shumë e rëndësishme të shtohet komunikimi dhe vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve institucionalë. Në fund të këtij takimi znj. Leibovich falënderoi zëvendësministrin Syla dhe popullin e Kosovës për mbështetjen ndaj popullit izraelit në përballimin e sfidave me të cilat po përballet me ç ‘rast zëvendësministri Syla e falënderoi për angazhimin e saj të shumtë për popullin tonë gjatë detyrave të ndryshme që ajo ka mbajtur deri tash, gjithashtu uroi që sa më shpejtë të kalohet kjo luftë dhe të dominojë paqja në atë rajon.”, është thënë në njoftim.