Zëvendësja e Gërvallës për dënimin me 13 mijë euro: MPJ ka një lloj privatësie, jo gjithçka është publike
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, ka komentuar rreth shpenzimeve të Prindon Sadriut - çështje për të cilën MPJ është gjobitur me 13 mijë euro, pasi nuk ka pranuar që Insajderit t'i ofrojë qasje në dokumente publike.
E ftuar në Frontal të T7, Gashi është shprehur se kjo çështje është sqaruar në një konferencë nga ministrja Gërvalla, duke shtuar se misionet diplomatike nuk kanë të dhëna të individualizuara.
“Në fakt e tha shumë qartë ministrja për punën e z. Sadriu. E tregoi që sistemin e kemi trashëguar, është shumë thjesht një sistem, që në kuadër të misioneve ka koston operacionale të përbashkët, dhe në kuadër të saj s’ka shpenzime të individualizuara. Unë besoj që shumë shpejt do të avancohet”, është shprehur Gashi.
Më tej ajo ka shtuar se të gjitha shpenzimet me paratë e taksapaguesve do të jenë transparente dhe të hapura, duke kërkuar edhe mirëkuptim nga gazetarët, pasi jo çdo gjë që ndodh duhet ndarë me publikun.
E komentin e saj, Gashi e ka lidhur me “backdoor diplomacy”.
“Unë besoj që jo vetëm shpenzimet e Prindon Sadriut, por të gjitha shpenzimet që i kemi në institucion që paguhen me taksat e qytetarit do të jenë transparente dhe të hapura, por në të njëjtën kohë unë kërkoj mirëkuptim sepse MPJ është po ashtu një institucion që ka një lloj privatësie për disa arsye, kështu që në këtë drejtim ne kërkojmë mirëkuptim prej gazetarëve sepse jo gjithçka, lëvizjet që bëhen, duhet me qenë publike, për faktin se janë disa elemente në kuadër të backdoor diplomacy që nuk duhet dalin fare”, ka thënë Liza Gashi.
