Këshilltari i Bislimit: Zvicrra organizon takime çdo vit, por me Gjuriqin nuk kishim një të tillë
Gazeta zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” raportoi se Zv/Kryeministri Besnik Bislimi ishte takuar në dhjetor me ministrin serb Marko Gjuriq, larg syve të kamerave.
Madje, pjesëmarrësit habiteshin sa familjar ishte Bislimi me Gjuriqin.
“Një politikan i lartë kosovar dhe një politikan i lartë serb ecën së bashku nëpër qytetin e vjetër të Solothurnit drejt hotelit të tyre pas darkës… Në planin publik, në të dyja anët dominojnë qëndrimet e ashpra. Por në qytetin e vogël zviceran, përfaqësuesit e të dyja palëve flisnin me njëri-tjetrin aq familjarisht, saqë kjo befasoi edhe ata që e njohin mirë konfliktin”, shkruan gazeta “Neu Zurcher Zeitung”.
Gazeta shkruan se këto takime nuk u konfirmuan asnjëherë, e as nuk u njoftua për to. Madje, Blick kishte raportuar për një takim në nëntort të vitit 2025.
“Sipas disa burimeve, midis tyre ishin Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për negociatat me Beogradin, dhe Ministri i Jashtëm serb dhe ish-ambasadori në SHBA, Marko Djuric. Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (FDFA) konfirmoi me kërkesë se organizon Bisedimet e Solothurnit dy deri në tre herë në vit”, thuhet në këtë raportim.
Por, këtë e ka mohuar këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu. Sipas tij, është e vërtetë që Zvicrra organizon takime të niveleve të ndryshme, por që me Gjuriq nuk ka pasur takim.
Reagimi i plotë i Kadiut:
Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin shumë akterë ndërmjetësues. Krahas BE-së, ka edhe vende partnere e mike të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme për ndërmjetësim mes palëve. E tillë është edhe Zvicra, që e bën këtë përmes Departamentit për Punë të Jashtme, dhe organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet. Shprehim mirënjohjen ndaj Zvicrës për angazhimin dhe përkushtimin e saj.
Por këto takime nuk janë "të fshehta". Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka patur takime "të fshehta", e aq më pak me Marko Gjuriq. Në njërin nga këto takime në Zvicër, ka qenë i ftuar si folës edhe zëvendëskryeministri por në atë takim nuk ka qenë pjesëmarrës Gjuriq. Pra Zëvendëskryeministri Bislimi, nuk ka patur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë.