Zemaj kritikon shuarjen e Ministrisë së Punës: 280 punëtorë u larguan nga QKUK brenda ditës, pa asnjë përgjegjësi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar shuarjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas tij, ky është një vendim joefikas që u mor pa një analizë të duhur dhe pa një plan të studiuar mirë.
“Nuk po flasim si një parti që dikur ka qenë në opozitë, por nga përvoja dhe shqetësimet tona që nga fillimi i mandatit në vitin 2021” – citohet se ka thënë ai.
Zemaj shtoi se nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e punëtorëve apo avancimin e të drejtave të tyre, duke përmendur mungesën e sigurisë në vendin e punës dhe numrin e lartë të ankesave nga punëtorët.
“Rasti më i fundit është largimi i 280 punëtorëve nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës brenda një dite, pa asnjë përgjegjësi apo garanci për ta dhe familjet e tyre. Kjo është vërtetë për të ardhur keq dhe përbën një fatkeqësi”.
Deputeti kritikoi vendimet e qeverisë së kaluar, duke i cilësuar si populiste dhe pa ndikim real. Sipas tij, nëse do të kishin qenë efektive, nuk do të kishim përjetuar një valë kaq të madhe të migrimit që nga viti 2021 e deri më sot.
“Ajo që është edhe më shqetësuese është se nuk po migron vetëm pjesa sociale e popullatës, por edhe profesionistët – përfshirë mjekë, infermierë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë të nevojshëm për zhvillimin e vendit,” – u shpreh Zemaj.