Zelensky: Kherson nuk hoqi dorë kurrë nga Ukraina
Pas rimarrjes së Khersonit nga trupat ukrainase, presidenti Volodomyr Zelensky e ka cilësuar të premten “një ditë historike”, duke thënë se njerëzit në qytetin jugor “nuk e humbën kurrë shpresën”.
“Ata kurrë nuk hoqën dorë nga Ukraina. Shpresa për Ukrainën është gjithmonë e justifikuar – dhe Ukraina gjithmonë e kthen të sajën,” ka thënë ai.
Më tej ai ka shtuar se, “edhe kur qyteti ende nuk është pastruar plotësisht nga prania e armikut, vetë banorët e Khersonit tashmë po heqin simbolet ruse nga rrugët dhe ndërtesat dhe çdo gjurmë të qëndrimit të pushtuesve në Kherson.”
Zelensky po ashtu ka falenderuar, forcat e armatosura, inteligjencën, Gardën Kombëtare dhe të gjithë ata që e bënë të mundshme “ditën e sotme për Khersonin”.
Megjithatë, sipas inteligjencës ukrainase, në Kherson mund të jenë ende mijëra trupa ruse të gatshëm për luftë, pastaj ekziston edhe frika ndaj minave dhe kurtheve të ndryshme që mund të jenë përgatitur. E këto frika do të realizohen apo zhduken në orët në vijim, pasi beteja për Khersonin pothuajse ka përfunduar.
