Zelensky kërkon që Rusia të njihet si shtet terrorist pas sulmit në Vinnytsia
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta njohë zyrtarisht Rusinë si shtet terrorist në fjalimin e tij të mbrëmjes të enjten, pas sulmit rus në Vinnytsia.
“Rusia e ka shfaqur qëndrimin e saj ndaj ligjit ndërkombëtar, ndaj Evropës dhe ndaj tërë botës së civilizuar. Pas kësaj, askush nuk mund të ketë asnjë dyshim se një tribunal special për agresionin rus kundër Ukrainës nevojitet sa më shpejt që është e mundshme”, tha Zelensky.
Deklarata e tij erdhi pas sulmit rus me raketa në qytetin Vinnytsia të enjten. Ai tha se në mesin e 23 personave të vrarë janë tre fëmijë nën moshën 10-vjeçare.
Presidenti ukrainas bëri thirrje për konfiskimin e të gjitha aseteve dhe fondeve ruse në të gjitha shtetet si dëmshpërblim për të gjitha viktimat e terrorit rus.
Sipas tij, ende është duke u qartësuar numri i viktimave, sepse procesi i pastrimit të rrënojave është duke vazhduar dhe dhjetëra njerëz janë në listën e të zhdukurve.