Zelensky kërkon akses në hetimin mbi raketën e rënë në Poloni
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina dëshiron të vërtetojë të gjitha faktet rreth raketës që ra në Poloni të martën, duke lënë të vrarë dy persona.
Ndërkohë që zyrtarët polakë kanë treguar se ka të ngjarë që raketa të jetë ukrainase, e rënë nga mbrojtja ajrore e saj në mes të valëve të sulmeve raketore ruse, Zelensky ka vazhduar të thotë se, "sqarimi i të gjitha rrethanave se si agresioni rus kaloi kufirin polak" ishte tani një çështje përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
"Pozicioni ukrainas është shumë transparent: ne duam të përcaktojmë të gjitha detajet, çdo fakt. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë që ekspertët tanë t'i bashkohen punës së hetimit ndërkombëtar dhe të kenë akses në të gjitha të dhënat në dispozicion të partnerëve tanë në lidhje me shpërthimin”, është shprehur ai.
Zelensky po ashtu bëri të ditur se ai kishte folur me presidentin polak Andrzej Duda dhe i kishte shprehur ngushëllimet e tij, por ka vazhduar të këmbëngulë se ishte "agresioni rus" ai që u kishte marrë jetën dy shtetasve polakë.
