Zelenskiy: Ne çliruam 500 kilometra katrorë territor në Kherson
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy sonte konfirmoi se forcat e tij kanë rimarrë më shumë se 500 kilometra katrorë territor në Kherson.
Ai sqaroi se këto fitime territoriale i referohen periudhës nga 1 tetori dhe vlejnë vetëm për rajonin jugor të Khersonit. Më herët sot, Ukraina njoftoi se 400 kilometra katrorë në Kherson ishin liruar, por ky numër, sipas Zelenskyi, është rritur më tej.
Ai shtoi se ka pasur suksese shtesë në lindje.
Zelenskiy tha më herët se Rusia është "shteti më anti-evropian në botë". Ai ua tha këtë liderëve evropianë të mbledhur në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian dhe u kërkoi atyre që të ndihmojnë dhe të vendosin më shumë sanksione kundër Rusisë, raportojnë agjencitë.
Në ditën kur Ukraina njoftoi për herë të parë se kishte çliruar 400 kilometra katrorë nga pushtimi rus në jug, Zelenskiy paralajmëroi në një lidhje video për rrezikun që paraqet Rusia.
Rusia tani ka vetëm një politikë, dhe ajo është "lufta kundër Ukrainës, kundër Evropës, kundër botës", tha Zelenskiy, raporton agjencia dpa.
Ai u bëri thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të mbledhur në Pragë të bëjnë gjithçka që munden për të ndaluar luftën në vendin e tij.
Ai bëri thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë, mbështetje më të fortë ushtarake për Ukrainën në mënyrë që "tanket ruse të mos arrijnë në Varshavë apo Pragë" dhe garanci sigurie derisa vendi i tij të anëtarësohet në NATO.
“Agresori duhet të ndëshkohet”, theksoi ai, duke shtuar: “Do të vijë dita kur e keqja ruse do të humbasë”. /Nacionale/