Zëdhënësja e LDK-së: Kjo është Qeveri e dramave dhe krizave - të nisin bisedat me sindikalistët - NACIONALE

Zëdhënësja e LDK-së: Kjo është Qeveri e dramave dhe krizave - të nisin bisedat me sindikalistët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka folur për Nacionalen në lidhje me Grevën e Përgjithshme të shpallur nga BSPK-ja më 25 gusht dhe përplasjet e forta mes grevistëve dhe pushtetit prej asaj kohe.

Halimi ka ripotencuar se kërkesat e sindikalistëve nuk datojnë vetëm prej 25 gushtit, por edhe shumë më herët – e të cilat fatkeqësisht ishin shpërfillur nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Sot u bënë dy javë që kur shkollat e Kosovës nuk kanë mbajtur as edhe një ditë mësim. Ndërkaq, janë shumë më shumë javë, prej kur qeveria i ka injoruar tërësisht kërkesat e sindikalistëve, duke mos i pranuar në asnjë takim. Nga një qasje e tillë e papërgjegjshme, nga kjo pandjeshmëri e pashembullt; po e pësojnë nxënësit tanë që po mbyllen në shtëpi, prapë, pas dy vitesh të rënda pandemie.” – ka thënë fillimisht ajo.

Po ashtu, anëtarja e Kryesisë së LDK-së ka denoncuar edhe gjuhën e pushtetit, sidomos ndaj mësuesve të vendit – dhe e cila kishte kulmuar edhe me lajme të rreme për lidhje me partitë serbe, një pohim që fatmirësisht ishte tërhequr më pas.

“Eksponentët e pushtetit, 'armikun e brendshëm' e kërkojnë te mësuesit, të cilët kërkojnë veçse një shtesë modeste në pagë, sa për të mbijetuar, në një kohë kur gjithçka është shtrenjtuar. Qeveria e dramave dhe e krizave; pas inflacionit enorm dhe territ në verë, e krijoi një tjetër krizë të paqenë - atë në arsim - që mund të shmangej lehtë.” – i tha Halimi, Nacionales.

Duhet të kujtojmë se paga e një mësimdhënësi të ciklit fillor është vetëm 420 euro e 21 centë, dhe kërkesa e kryetarit të Këshillit Grevist në BSPK, Rrahman Jasharajt, kishte qenë për 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të Pagave në Kuvendin e Kosovës.

“Askujt nuk i interesojnë justifikimet boshe, por duhet që qeveria të ulet dhe të bisedojë sinqerisht me sindikalistët, të gjejë një zgjidhje, që fëmijët e mbarë Kosovës t'i kthehen të hënën dijes dhe socializimit me njëri-tjetrin!” – është shprehur më tej ajo.

Kujtojmë që kërkesat e grevistëve janë quajtur “absurde” nga ana e kryeministrit Albin Kurti, ndërsa në anën tjetër janë raportuar edhe presione ndaj mësimdhënësve për të mos mbajtur grevën.

Megjithatë, shumica dërmuese e mësimdhënësve vazhdojnë të grevojnë.

Lajme të ngjashme