Zbythen “Tigrat e Zi” të Drenasit, e fshijnë postimin: Nuk ishte thirrje kundër “Policis”
Grupi i tifozëve ultras të klubit futbollistik Feronikeli nga Drenasi e kanë fshirë postimin që e kishin publikuar të martën herën në mëngjes, duke thënë se teksti ishte vetëm për “dasha keqesit e klubit ton”. Megjithatë, në shkrim kishte më shumë gjithëpërfshirje, siç do të mund të lexoni më poshtë.
“Postimi i sotem nuk ishte per thirrje kunder Policis se shteti por ishte per dasha keqesit e klubit ton Fc Feronikeli te gjitha ato qfar keni par ne medja bien posht sepse problemi jon esht vetem me klubin ton dhe me trainerin e portierav (A.H) pasi ne ndeshjen kunder Dukagjinit ofendoj antaret e gurpit tone. Me respekt Kryesia e grupit!” – thuhet në shkrimin e ri të këtij grupi, pasi atë të mëngjesit e kanë fshirë krejt.
Megjithatë, gazeta “Nacionale” nuk e ka fshirë raportimin e saj dhe, për hir të korrektësisë, do t’i informojë lexuesit se çka kishin thënë “Tigrat e Zi” në mëngjesin e hershëm të së martës.
“Dje në orët e mesditës morrëm lajmin se dy antar të grupit tonë, janë ftuar në stacionin policor në Drenas, për arsyen e incidentev në stadionin Rexhep Rexhepi, është ngritur padi për antarët tanë, dikë e pengon prezenca jonë në tribunë, sepse nuk po i ecin punët ashtu siç ai ka menduar e dikush i dëshiron tifozët në çdo ndeshje t'i ketë prapa vetes, gjë që ka deshmuar dhe vite me parë, ai person i klubit tonë i cili ka ngritur padi, padyshim që do të gjindet” – thuhej në shkrimin e publikuar para orës 7:00.
Në shkrim dukej se përfshihej një kërcënim për personin që, sipas “Tigrave të Zi”, është pjesë e klubit dhe që ka ngritur padi, duke thënë se ai “pa dyshim që do të gjindet”.
Në fund të shkrimit, me të gjitha shkronjat e mëdha, duket se “Tigrat e Zi” shprehën tërthorazi kërcënim e drejtpërdrejt urrejtje për Policinë e Kosovës, duke shkruar: “U URREJM TË GJITHVE, JEMI GATI PËR LUFTË.” Në fund të fjalisë së parë të këtij citati ishte vendosur një figurë polici, duke lënë të nënkuptohej se tifozët po i drejtoheshin Policisë së Kosovës, përkatësisht stacionit policor të Drenasit.