“Jemi gati për luftë”: A po e kërcënojnë “Tigrat e Zi” të Drenasit Policinë e Kosovës?
Tifozët ultras të klubit futbollistik Feronikeli nga Drenasi, “Tigrat e Zi”, kanë shprehur urrejtje ndaj Policisë së Kosovës përmes një shkrimi në “Facebook”, pasi thanë se ndaj disa anëtarëve të tyre është ngritur padi. Ata madje thanë se “janë gati për luftë”.
Pakënaqësia e tifozëve “Tigrat e Zi” të Feronikelit ndaj Policisë së Kosovës vjen pas përjashtimit të tyre nga stadiumi “Rexhep Rexhepi” në Drenas për shkak të një incidenti në ndeshjen e fundit që klubi e ka luajtur si vendës, raporton gazeta "Nacionale".
Të shtunën, Feronikeli humbi në stadiumin e vet nga Dukagjini i Klinës me rezultat 0 me 2. Disa tifozë të pakënaqur, që ndodheshin prapa portës së Feronikelit, thuhet se kishin hedhur gjësende në fushë.
Ky grup i tifozëve tha të martën herët përmes një shkrimi në “Facebook” se të hënën pasdite e kishin marrë lajmin se dy anëtarë të “Tigrave të Zi” ishin ftuar në stacionin policor në Drenas për shkak të incidenteve të së shtunës dhe se ishte “ngritur padi” për anëtarët.
“Dje në orët e mesditës morrëm lajmin se dy antar të grupit tonë, janë ftuar në stacionin policor në Drenas, për arsyen e incidentev në stadionin Rexhep Rexhepi, është ngritur padi për antarët tanë, dikë e pengon prezenca jonë në tribunë, sepse nuk po i ecin punët ashtu siç ai ka menduar e dikush i dëshiron tifozët në çdo ndeshje t'i ketë prapa vetes, gjë që ka deshmuar dhe vite me parë, ai person i klubit tonë i cili ka ngritur padi, padyshim që do të gjindet” – thuhet në reagimin e “Tigrave të Zi”.
Në shkrim dukej se përfshihej një kërcënim për personin që, sipas “Tigrave të Zi”, është pjesë e klubit dhe që ka ngritur padi, duke thënë se ai “pa dyshim që do të gjindet”.
Në fund të shkrimit, me të gjitha shkronjat e mëdha, duket se “Tigrat e Zi” shprehën tërthorazi kërcënim e drejtpërdrejt urrejtje për Policinë e Kosovës, duke shkruar: “U URREJM TË GJITHVE, JEMI GATI PËR LUFTË.” Në fund të fjalisë së parë të këtij citati ishte vendosur një figurë polici, duke lënë të nënkuptohej se tifozët po i drejtoheshin Policisë së Kosovës, përkahtësisht stacionit policor të Drenasit.