Xhavit Haliti e kritikon opozitën: Duhet front i përbashkët opozitar, s'jemi në nivel të detyrës
Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka kritikuar mënyrën se si partitë opozitare kanë zgjedhur t’i kundërvihen pushtetit.
Ai ka thënë se ekziston një përshtypje se opozita nuk është në nivel të detyrës.
"Ligjërisht dhe kushtetutshmërish, fuqia e kontrollit e opozitës ndaj Qeverisë është e kufizuar, sepse nuk kemi vendosur rregulla të caktuara që ia mundësojmë opozitës me qenë në krye te kontrollit të shtetit. Kemi probleme të mëdha, të cilat po ndodhin e me të cilat do të duhej me u ballafaqu, megjithatë më krijohet përshtypja që në këtë betejë politike, nuk jemi në nivel të detyrës", ka thënë Haliti.
Për më shumë, z.Haliti, që është një ndër figurat e rëndësishme të PDK-së, ka folur për mundësinë e një fronti të përbashkët opozitar.
"Do të ishte e mirë, sikur të ishte mundësia që të kemi një front të përbashkët, por në këtë front të përbashkët, tri partitë parlamente do të duhej që të uleshin dhe të diskutonin. Jo të ulen herë njëri e herë tjetri nëpër qoshe, por të krijohen grupet që hyjnë në bisedime për këtë çështje. Nëse hyjnë në bisedime për këtë çështje, ne duhet që në fillim të dimë se cilës parti çfarë i takon pas zgjedhjeve", ka thënë ai.
Idenë e një fronti të përbashkët opozitar e ka përmendur edhe Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, gjatë konventës së kësaj partie të dielën që shkoi.
