Wisner: Kosova duhet të krijojë një Asociacion me përgjegjësi shumë të kufizuara
Ish-emisari i ShBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Frank Wisner, ka vlerësuar se Republika e Kosovës duhet ta themelojë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka bërë me dije se ky asociacion duhet të jetë me përgjegjësi shumë të kufizuara.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka vlerësuar se ky asociacion nuk duhet të këtë status sovran që do ta prishte funksionimin e shtetit të Kosovës.
“Unë mendoj se Kosova, për arsyet e veta, duhet të krijojë një asociacion të komunave me shumicë serbe, me përgjegjësi shumë të kufizuara në kulturë, arsim, taksa dhe gjëra të tilla, por që nuk ka status sovran që do ta prishte funksionimin e shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar ai.
Ish-diplomatin amerikan ka folur edhe për ndikimin e administratës se re në procesin e dialogut.
Sipas tij, administrata Trumpit duhet të heq dorë nga zgjidhjet territoriale.
“Administrata e mëparshme e Trumpit ka pasur një sërë idesh, që synonin arritjen e një marrëveshjeje territoriale. Mendoj se ato kanë dështuar. Nëse administrata e re do t’u kthehej atyre ideve, mendoj se do të dështojë sërish. Nëse vini në shqyrtim integritetin territorial të vendeve, ju hapni Kutinë e Pandorës, hapni një krizë në të gjithë rajonin, ku shtetet e Ballkanit dhe etnitë e tyre kacafyten se ku duhet të vihen kufijtë. Serbia ka folur për rikrijimin e një Serbie të madhe, që do të ishte mallkim për stabilitetin në Ballkan. Çdo lëvizje drejt këtij objektivi, nuk do të shkaktonte gjë tjetër veçse telashe në Ballkanin Perëndimor. Shpresoj që kjo nuk do ta tundojë administratën e re”, ka vlerësuar ai.