Vuçiq thotë se "do të ketë pasoja ligjore" pas disa "kualifikimeve" që do t'i bëjë në seancën e Këshillit të Sigurimit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë shtypi me ministrin gjerman të mbrojtjes, Boris Pistorious, tha se sot Kosova “ka ndaluar në mënyrë të paligjshme” një veturë që po barte para të gatshme nga Serbia (rreth 117 milionë dinarë) derisa iu drejtua edhe bashkësisë ndërkombëtare me pyetjen “pse po e lini Prishtinën të bëjë gjithçka?”.
“Jemi në një gjendje të vështirë. Sot, Prishtina krejtësisht paligjshëm ndaloi një automjet me para, bazuar në faktin se qenkan shtetit sovran. Nëse kjo veçse qenka punë e kryer, i pyes partnerët perëndimor pse po na ftoni në dialog. Çka po kërkoni nga Serbia? Nga ne? Çka mund të bëjmë për ju nëse Prishtina paska të drejtë të bëjë gjithçka?”, ka thënë Aleksandar Vuçiq, për çka tha se pagesat që Serbia bën për serbët e Kosovës “do të bëhen në një mënyrë apo një tjetër”.
“Por, unë do të flas në OKB, nëse për ndonjë mrekulli nuk e mbyllin seancën, për herë të parë për disa kualifikime, që kanë të bëjnë me proceset aktuale që po ndodhin në Kosovë dhe që do të kenë pasoja juridike në të ardhmen”, shtoi Vuçiq.