Vuçiqi shkon në Itali, do të takohet me Edi Ramën e Kovaçevskin për Ballkan të Hapur - NACIONALE

Vuçiqi shkon në Itali, do të takohet me Edi Ramën e Kovaçevskin për Ballkan të Hapur

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndodhet në një vizitë dyditore në Itali, ku do të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të nismës së bashkëpunimit ‘’Ballkani i Hapur’’.

Pas takimit, të tre liderët do të vizitojnë Panairin Ndërkombëtar të Verës ‘’VinItali 2023’’ në Verona, dhe së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, do të vizitojnë stendën e përbashkët, ku janë ekspozues të shumtë të verërave në kuadër të ‘’Ballkanit të Hapur’’- raporton Kosovo Online.

‘’VinItali’’ është panairi kryesor i verërave dhe pijeve alkoolike dedikuar kompanive të verës në tregun botëror, dhe tradicionalisht mbahet në Verona.

Njoftohet se ‘’Ballkani i Hapur’’ po lëviz për herë të parë jashtë rajonit, për të tërhequr vizitorë të rinj në rajon, me verëra cilësore. Ky panair premierën e pati në Beograd vitin e kaluar dhe do të mbahet sërish këtë vit në nëntor.

Më shumë se 200 etiketa të verërave më të mira nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të prezantohen aty.

Ky panair është i fokusuar në promovimin e marrëdhënieve ndërmjet prodhuesve, blerësve dhe shkëmbimit të përvojave dhe aftësive.

Edicioni i sivjetshëm i këtij panairi fokusohet në tri fusha kyçe: biznesi, ndërkombëtarizmi dhe pozicionimi.

Verërat në stendën e ‘’Ballkanit të Hapur’’ do të prezantohen nga prodhuesit më të mirë të verërave të të tre vendeve, dhe do të organizohet një masterclass ku do të prezantohen varietetet autoktone të Ballkanit.

Panairi do të jetë i hapur deri më 5 prill.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e së premtes u pyet për Ballkanin e Hapur dhe vazhdoi të shprehej kundërshtues. Ai tha mes tjerash edhe se kjo nismë nuk kishte "as website" derisa numëronte të tjera mangësi të saj.

Lajme të ngjashme