Vuçiq: Emisarët evropianë prezantuan një kornizë komplet të re për dialogun me Kosovën
Presidenti i Serbisë, Alexander Vuçiq, ka bërë me dije se dje në takimin më këshilltaret e kancelarit gjerman dhe presidentit francez ka marrë një propozim për një kornizë krejtësisht të re për dialogun Kosovë-Serbi.
Në një konferencë për medie, ai ka thënë se ky propozim synon zgjidhjen përfundimtare të problemeve në mes të dy vendeve.
“Biseda nuk ishte aspak e lehtë, por në thelb mund të them disa gjëra: Përfaqësuesit e vendeve më të fuqishme evropiane, të cilët theksuan se kanë mbështetjen e ShBA-së dhe Turqisë për këtë, besojnë se në kushtet kur ka një luftë në Evropë, nuk ka nevojë për konflikte të reja dhe se është e nevojshme të arrihet zgjidhja më e shpejtë e mundshme. Unë dua ta zgjidh problemin sepse ka luftë në Evropë, ndoshta ne në Serbi nuk e kuptojmë këtë, Evropa duhet të mbrohet dhe në përputhje me atë zgjidhje të mundshme, ata do të shmangnin mundësinë për t’i dhënë një përgjigje të qartë presidentit Putin në lidhje me precedentin ligjor dhe dhënien e pavarësisë së Kosovës, pas kësaj do të thoshin – u arrit marrëveshja, që në gjithë këtë të bëhemi edhe një herë dëmi kolateral i konflikteve të të mëdhenjve dhe i sjelljes së tyre joparimore nga e kaluara”, ka deklaruar Vuçiq/KK/
Dje, edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.