Vuçiq ankohet për “masat e Prishtinës”, paralajmëron se mund të rrezikohet dialogu
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur shqetësimin e tij në një konferencë në Davos, Zvicër, lidhur me, siç pretendoi ai, “paralajmërimet e fundit të qeverisë së Kosovës”.
Sipas tij, këto paralajmërime, si anulimi i transaksioneve financiare me Serbinë qendrore, ndalimi i përdorimit, rrezikojnë procesin e normalizimit dhe dialogun mes dy vendeve.
“Njoftimi që po marrim nga Prishtina se po përgatiten të konsiderojnë anulimin e transaksioneve të pagesave me Serbinë qendrore, d.m.th. ndalimin e përdorimit të dinarëve, bastisjen e Bankës së Kursimeve Postare, postave, jo vetëm që na shqetëson, por na bën thirrje për t'i vënë në pikëpyetje të gjitha proceset, normalizimin dhe dialogun dhe gjithçka tjetër”, tha Vuçiq.
Siç raporton Pink.rs, Vuçiq ka theksuar se detyra e tij si president është të mbrojë interesat e popullatës serbe dhe të sigurojë paqen në rajon.
Ai ka thënë se këto çështje do të jenë pjesë e bisedës së tij me Ndihmësekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjen Evropiane e Euroaziatike, James O’Brien.
“Është shumë e rëndësishme, siç shtoi ai, që Serbia të arrijë nivelin më të lartë të mundshëm të mirëkuptimit me SHBA-në, si fuqia kryesore në botë. “Kush po armatoset, pse dhe si, çfarë është bërë dhe çfarë nuk është bërë, të gjitha këto po diskutohen”. Kam folur me kreun e Organizatës Botërore të Tregtisë, me shumë njerëz me ndikim”, tha Vuçiq.