Vrasja në Ferizaj: I dyshuari e qëlloi katër herë kushëririn, e njoftoi vetë Policinë
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për vrasjen në Ferizaj.
I dyshuari dhe viktima kanë qenë kushërinj.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari vetë e kishte thirrur Policinë dhe e kishte njoftuar për aktin që ka kryer.
Njoftimi:
Vrasje në Ferizaj
Më datën 15.09.2025, rreth orës 19:42, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në fshatin Balaj të Ferizajt ka ndodhur një rast i vrasjes.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e stacionit policor të Ferizajt, Njësiti i Reagimit të Shpejtë, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, si dhe krimteknikët. Po ashtu, në vendngjarje ka dalë edhe Prokurori i Shtetit dhe nën autorizimin e tij kanë nisur hetimet.
Nga hetuesit dhe krimteknikët është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërsa edhe i trupit të viktimës, si dhe janë intervistuar dëshmitarët. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër (4) gëzhoja, ndërsa në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit është gjetur arma e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar edhe :
- Një pushkë gjahu me 72 fishekë;
- Një pushkë ajrore.
Sipas hetimeve fillestare, vrasja ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes të dyshuarit dhe viktimës, të cilët ishin në lidhje gjaku (kushërinj). Në ditën kritike, pas një fjalosjeje, i dyshuari kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte shtënë katër herë mbi viktimën.
Pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka thirrur policinë për rastin dhe vendndodhjen e tij. Ai është arrestuar më pas dhe është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, në Sektorin Rajonal të Hetimeve.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës I.R. (M/K), i lindur në vitin 1987, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Ndërsa i dyshuari B.R. (M/K), i lindur në vitin 1974, është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.
---