Vrasja e tmerrshme në Peqan të Suharekës: 75 vjet burg për tre të akuzuarit - NACIONALE

Vrasja e tmerrshme në Peqan të Suharekës: 75 vjet burg për tre të akuzuarit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tre persona të akuzuar për vrasjen e vitit 2016 në Peqan të Suharekës janë dënuar me nga 25 vjet burg secili. Në total, 75 vjet burg.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prizren.

Sipas aktakuzës, bashkëshortja e të ndjerit kishte paguar disa familjarë për t’ia vrarë burrin.

Njoftimi nga Gjykata:

Njoftimi i plotë i Gjykatës:

JANË FAJTOR

  1. I akuzuari M.A., dhe F.F.,

Në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179 par. 1 pika 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

Me datë 06 tetor 2016, në fshatin Peqan Komuna e Suharekë, me dashje direkte të akuzuarit M.A., dhe F.F., ndëramrrin veprime me qëllimit të privimit nga jeta në mënyrë mizore apo dinake e të ndjerit A.B., duke qenë të shtytur nga e akuzuara R.B., (bashkëshortja e të ndjerit – e akuzuar në këtë rast), ditën kritike shfrytëzojnë situatën dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit së pari e kanosin të dëmtuarit, e më pas ia lidhin duart viktimës A.B., ku edhe më pas ia lidhin edhe këmbët të ndjerit A.B., dhe largohet nga shtëpia më pas në mënyrë mizore dhe barbare me qëllim të shkaktimit të dhembjeve të mëdha fizike dhe psikike viktimës, e dërgojn viktimën mbi varrezat e fshatit Studencan –në mal, dhe duke shfrytëzuar rrethanat se viktima ishte i lidhur dhe i pa mbrojtur e godasin me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit, të cilin më pas e hedh në një gropë dhe e mbulon me dhe, ashtu gjysmë të groposur pastaj ia vënë zjarrin,

  1. E akuzuara R.B.,

Se në kohë të pacaktuar të vitit 2016 në takimet paraprake të cilat i ka pas me të akuzuarin, me dashje e shtytë të njëjtin për të kryer vepër penale të vrasjes dhe atë të bashkëshortit të saj të ndjerit – viktimës A.B., Këso dore në shtytje ka kryer veprën penale shtytja në vrasje të rëndë nga neni 179 par. 1 pika 1.4 e në lidhje me nenin 32 (Shtytja) par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

  1. I akuzuari R.A., në kuptim të nenit 364 par.1 pika 1.3 të KPP

LIROHET NGA AKTAKUZA

Për veprën penale të përshkruar si nën pikën I të dispozitivit

Më këtë kishte për të kryer veprën penale, pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare nga neni 386 par. 1 pika 1.7 të KP-së.

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i GJYKON:

Të akuzuarin M.A., (për veprën penale vrasja e rëndë) me DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në parabrugim nga data 08.10.2016, e tutje).

Të akuzuarin F.F., (për veprën penale vrasja e rëndë) me DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 7 muajsh të mëhershme, dhe nga data 20.05.2019 e tutje)

Të akuzuarën R.B., (për veprën penale shtytja në vrasje të rëndë) me DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në parabrugim nga data 08.11.2016, e tutje).

Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

SHËNIM: Për rastin e lartcekur në Tetor të vitit 2019, Gjykata Themelore në Prizren kishte shpallur aktgjykim dënues dhe kishte shqiptuar dënimet si më poshtë:

Të akuzuarin M.A., me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vjet

Të akuzuarën R.B., me dënim me burg në kohëzgjatje prej 20 (njëzetë) vjet burgim,

Të pandehurin F.F., me dënim me burg në kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim

Gjykata e Apelit më datë, kishte marrë AKTVENDIM dhe është anuluar Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, dhe çështja ishte kthyer në rigjykim dhe vendosje.

Në nëntor të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prizren për herë të II-të, kishte shpallur aktgjykim dënues dhe kishte shqiptuar dënimet si më poshtë:

Të akuzuarin M.A., (për veprën penale vrasja e rëndë) me DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite

Të akuzuarën R.B., (për veprën penale shtytja në vrasje të rëndë) me DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vite

Të akuzuarin F.F., (për veprën penale ndihma në vrasje të rëndë) ne DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) vite

Gjykata e Apelit për herë të II-të, kishte marrë AKTVENDIM dhe është anuluar Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, dhe çështja ishte kthyer në rigjykim dhe vendosje.

Lajme të ngjashme