Von der Leyen propozon që fitimi nga asetet e ngrira ruse të përdoret për ushtrinë ukrainase
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se BE-ja duhet ta shqyrtojë përdorimin e fitimit nga asetet e ngrira ruse për të blerë furnizime ushtarake për Ukrainën.
“Është koha që të fillojë një bisedë për shfrytëzimin e fitimit të paplanifikuar të aseteve të ngrira ruse për të blerë bashkërisht pajisje ushtarake për Ukrainën” – tha zyrtarja e lartë në Parlamentin Evropian gjatë një fjalimi në të cilin i bëri thirrje BE-së për të bërë më shumë në politikën e mbrojtjes, raporton agjencia “Reuters”.
“Nuk do të mund të kishte simbol më të fortë dhe përdorim më të madh për ato të holla, sesa të bëhej Ukraina dhe e tërë Evropa vend më i sigurt për të jetuar”- shtoi ajo.
Më tej, zonja Von der Leyen tha se rreziku për luftë për BE-në “mund të mos jetë i menjëhershëm, por nuk është i pamundshëm”.
“Rreziku për luftë nuk duhet të zmadhohet, por ata duhet të jenë të përgatitur për të dhe kjo fillon me nevojën urgjente për t’i rindërtuar, riplotësuar dhe modernizuar forcat e armatosura të shteteve anëtare” – tha Von der Leyen.
Në fjalimin e saj, presidentja e Komisionit Evropian foli edhe për Strategjinë Evropiane Industriale të Mbrojtjes, të cilën Komisioni Evropian do ta paraqesë në javët e ardhshme, duke theksuar se njëri nga qëllimet kryesore të kësaj strategjie do të jetë bërja prioritet e blerjeve të përbashkëta.