Vllasi: Asociacioni obligim, Kosova s’duhet të legaizojë valutë tjetër përveç euros
Azem Vllasi, ish-funksionar i lartë në Kosovë në kohën e ish-Jugosllavisë, ka folur rreth takimeve në Bruksel për çështjen e dinarit.
Në një prononcim për FrontOnline, Vllasi ka vlerësuar se Kosova nuk duhet të legalizojë valutë tjetër përveç euros.
“Shfrytëzuesve të ndihmave financiare nga Serbia në Kosovë më shumë punë iu bënë euro sesa dinari. Serbia nuk ka asnjë problem që ato shuma t’i transferoi në euro. Problemi është se euro është valutë zyrtare në Kosovë sipas Kushtetueses dhe del se ajo po e njeh Kosovën si shtet, ai është problem i Serbisë. Nëse ajo gjen mundësi që përmes një banke të ndonjë shteti tjetër ato para t’i transferoi të shfrytëzuesit në Kosovë, është puna e saj. Kosova nuk duhet të legalizoi valutë tjetër në qarkullim zyrtar në Kosovë”, ka theksuar Vllasi.
Tutje, Vllasi ka vlerësuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim.
“Formimi i këtij asociacioni ka mbetë si obligim pas pranimit të Kosovës në KiE e jo si kusht. Nuk është problem që ky Asociacion të formohet si formë e bashkëpunimit të serbëve dhe komunave me shumicë serbe, për disa çështje me interes specifik të tyre si shembull në arsim, kulturë, gjuhë, traditë… Gjithsesi, përbrenda sistemit Kushtetues e juridik të Kosovës, jo si nivel i posaçëm i pushtetit për serb dhe jo si e synon Serbia. Madje, kjo fare nuk është punë e negocimit me Serbinë si shtet tjetër. Është punë e brendshme e Kosovës dhe nevojë e qytetarëve të saj serb’’ – ka thënë Vllasi.