Vjedhja e Thesarit: Dy të akuzuarit dënohen me 21 vjet burgim e 41 mijë euro gjobë
Të akuzuarit Labinot Grua e Kadri Shala janë dënuar me 21 vite burgim e 41 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Kjo Gjykatë sot ka shpallur aktgjykim dënues Gruda dhe Shala, akuzohen për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit.
Gjithnjë sipas aktgjykimit, i akuzuari Labinot Gruda shpallet fajtor duke u dënuar me dënim unik prej 8 mijë e 500 euro gjobë dhe 11 vjet burgim efektiv. Ndaj Grudës u shqiptua edhe dënimi plotësues në ndalimin e funksionit të administratës publike për nënëtë vjet.
E Kadri Shala shpallet fajtor dhe u dënua me 33 mijë euro gjobë dhe 10 vjet burgim efektiv.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.
Në aktakuzë thuhet se Gruda, ngarkohej për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.
Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohej për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.