Viti 2020, Kurti ankohej për çmimet e larta: Në Kosovë jetohet keq
Në raportin e publikuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni është jashtëzakonisht i madh. 14.1%, raporton ASK, është norma vjetore e inflacionit në qershor të këtij viti, në krahasim me atë të 2021-tës.
Mirëpo, statistika të tilla nga ASK-ja, kritikoheshin ashpër dikur nga kryeministri Albin Kurti sa ishte opozitar.
Në një shkrim në vitin 2020 të titulluar “Mjerimi si shifër e shtetit”, Kurti u referohej statistikave të ASK-së për të treguar gjendjen e rëndë sociale në Kosovë.
“Në Kosovë jetohet keq. Janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës së publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Rezultatet janë për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë në vitin 2018. E gjendja mund të jetë veçse e përkeqësuar që prej atëherë”, shkruante Kurti, teksa rendiste të gjeturat statistikore si më poshtë:
- Për 53.4% e ekonomive familjare janë barrë e rëndë shpenzimet për strehim dhe banim;
- Më shumë se çdo e pesta familje ka probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa, kornizat e dritareve dhe dysheme të kalbur;
- 69.5% nuk mund ta përballojnë një javë pushimi larg shtëpisë;
- 61.3% nuk mund ta përballojnë shujtën me mish, pulë dhe peshk çdo të dytën ditë;
- 47.3% nuk mund ta përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro;
- 35.4% nuk kanë kompjuter;
- 40.2% nuk janë në gjendje të përballojnë mbajtjen e shtëpisë të ngrohtë në mënyrë adekuate;
- 61.3% e kanë barrë të rëndë kthimin e kredisë;
- 78.3% kanë vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale;
Më shumë se çdo e pesta familje në zonat urbane ka probleme me ndotje, papastërti dhe probleme të tjera mjedisore si: tymi, pluhuri, erëra të pakëndshme ose ujë të ndotur.
“Mjerimi social nuk është fatkeqësi natyrore. Qeveritë para nesh kishin prioritet pasurimin korruptiv për vete dhe liberalizimin e vizave për qytetarët. Qeveria sot është kot. Kemi mungesë të rrjetës sociale që siguron familjet në nevojë dhe kemi tepri të pandemisë që ka dalur nga kontrolli institucional. Nevojitet model i ri ekonomik i përqendruar te punësimi dhe mjedisi e i mbrojtur nga drejtësia dhe qeverisja e mirë. Pas zgjedhjeve të reja, nis zgjidhja e këtillë. Mbase zgjedhjet po orvaten t’i vonojnë ca, pikërisht pse të gjitha subjektet ua dinë rezultatin atyre”, përfundonte shkrimi Kurtit.