Vidhen barna në vlerë 1 mijë e 105 euro në Depon Qendrore të Barnave
Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë kanë njoftuar se ka ndodhur një vjedhje në Depon Qendrore të Barnave.
Me një njoftim nga MSH-ja, u bë e ditur se fillimisht është vërejtur mungesa e disa karrikeve, por pas hulumtimit nga Policia e Kosovës u bë e ditur se është vërejtur mungesa e sasisë edhe nga Tramadol ampula dhe Morfin ampula.
“Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është kontrolluar hapësira e Depos Qendrore te Barnave dhe në fund të Depos është vërejtur se është bërë thyerje e murit të Depos nga podrumet e Pallatit të “Rilindjes” , ku sigurimi fizik i depos nuk ka qasje. Bazuar në Sistemin e Menaxhimit te Stokut Farmaceutik (SMSF), Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar se mungojnë sasi të produkteve si në vijim: Methadon sol 100ml, 90 shishe, Tramadol 50 mg, 541 ampula dhe Morphine 10mg/ml, 280 ampula, ku vlera totale e produkteve që mungojnë është 1105.92€”, thuhet në njoftim.
MSH tutje ka bërë të ditur se pas përfundimit të procedurave nga Policia e Kosovës, nga MPB është kërkuar që të bëhet mbyllja e hapësirës ku është kryer vjedhja brenda depos dhe në orën 18:00 është bërë mbyllja e përkohshme e Depos Qendrore të Barnave.