Videoja e Kurtit për pavarësi, gazetari e akuzon se një pjesë e mori nga mediumi i tij: Nuk kërkoi leje
Gazetari i mediumit Reporteri.net, Mentor Gjergjaj ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që në videon e publikuar për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, e ka marrë një pjesë nga mediumi i tij.
Sipas gazetarit Gjergjaj, pjesa e parë e videos ku shihet komandanti legjendar Adem Jashari, është ripërpunuar dhe titruar në vitin 2020 nga mediumi i tij Reporteri, dhe i njëjti ka shtuar se nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë kërkuar asnjë leje për marrjen e kësaj video.
“Pamjet në sekondat e parë të videos zyrtare të publikuar në facebook nga Kryeministri Kurti për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, janë inserte të pirateruara nga një video e rrallë e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e ripërpunuar dhe titruar nga Reporteri në vitin 2020. Zyra e Kryeministrit asnjëherë deri më tani nuk ka kërkuar nga gazeta online Reporteri.net leje apo të drejtat tjera ligjore për përdorimin e inserteve të videos nga versioni i përpunuar nga ne para katër vitesh, e që po (keq)përdoret nga Kryeministri Kurti pa respektuar krijuesit e saj.” – ka shkruar ai.
Ndër të tjera, gazetari ka thënë se në videon e publikuar në materialin e kryeministri janë prerë pjesë e brendimit të Reporterit, me qellim të përvetësimit të pamjeve të përpunuara dhe titruara, dhe në dëm të krijuesit.
“Ne këtë link: https://www.facebook.com/repor... mund ta shihni videon origjinale dhe ta krahasoni me videon e publikuar dje nga Kurti, ku edhe do ta vëreni që në materialin e Kryeministrit janë prerë/hequr pjesët e brendimit të Reporterit, me qellim të përvetësimit të pamjeve të përpunuara dhe titruara, dhe në dëm të krijuesit.”
“Zyra e Kryeministri të Kosovës duhet ta ndjejë obligim ndaj Reporteri dhe opinionit publik sqarimin e këtij plagjiati. Përveç tjerash të ndërhyhet në videon e Kryeministri dhe pjesët e pirateruara të largohen ose të respektohen krijuesit e saj. Perparim Kryeziu, Rozafa Kelmendi, Qeveria e Republikës së Kosovës - Arlind Manxhuka. Prodhimi i videos nga Zyra e Kryeministrit është paguar me taksat tona - qytetarëve të këtij vendi - duke pirateruar e plagjiatuar, pjesë të saj, nga krijimtaria e Reporterit, në kundërshtim me ligjet në fuqi që mbrojnë krijuesit dhe autorët në Kosovë. Republikës i dilet zot duke e zbatuar e respektuar çdo nen të çdo ligji. Përfshirë edhe atij NR. 04/L-065 për Të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.” – ka shkruar ai.