Vetura godet dy persona në Nagavc të Rahovecit, njëri vdes
Një person ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër ka mbetur i lënduar pasi janë goditur nga një veturë në fshatin Nagavc të Rahovecit.
Lajmin për Klankosova.tv e konfirmoi zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Ajo bëri të ditur se i dyshuari për aksidentin është ndaluar për 48 orë.
“Sot, më 6 mars 2026, në fshatin Nagavc të Rahovecit është raportuar një aksident trafiku, ku një veturë ka goditur dy persona të rritur. Si pasojë e këtij aksidenti, njëra nga viktimat, rreth 56 vjeç, ka humbur jetën, ndërsa personi tjetër ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor”, njoftoi Krasniqi