Vetëvendosje e akuzoi për terminal doganor, reagon djali i Isa Mustafës: U akuzuam e u shantazhuam
Djali i ish-kryeministrit Isa Mustafa, Besnik Mustafa, ka reaguar ndaj akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje ku me anë të një video në Facebook, e akuzoi Mustafën për terminal doganor dhe keqpërdorime.
Besnik Mustafa tha se u akuzuan dhe u shantazhuan nga mediat e Vetëvendosjes, - parti në pushtet,
Ai tha se kompania “Intereuropa” me veprimtari themelore depo doganore publike, transport dhe shpedicion është kompani Sllovene me seli në Koper të Sllovenisë.
Sipas Mustafës, pushteti për nevoja të propagandës, kompaninë Sllovene dhe terminalin e saj e bënë të familjes së tyre.
“E gjithë kjo për të shantazhuar dhe kërcënuar në emër të Byros së tyre politike për konfiskim. E unë u them, urdhëroni dhe konfiskone ose mbylleni këtë kompani por do të keni punë me Shtetin Slloven e jo me familjen Mustafa, sepse nuk është e familjes sonë, por para se ta bëni bisedoni me shtetin Slloven. Nuk është as e LDK-së, prej së cilës frikësoheni aq shumë”, shkroi ai në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar sërish një video përmes së cilës ka përmendur ish-pushtetarë e deputetë, për të cilët ka thënë se kishin përvetësuar terminale doganore.
VV-ja ka shkruar se në Republikën e Kosovës terminalet në çdo cep të saj kanë qenë në pronësi private të lidhura ngushtë me politikën.
Sipas VV-së, 37 milionë euro i kanë përvetësuar për 1 vjet vetëm prej 10 terminaleve.
