Vetëm edhe nesër kohë për deklarimin e pasurisë, mos përmbushja e këtij obligimi pason me ndëshkime
Ka mbetur vetëm edhe nesër kohë për deklarimin vjetor të pasurisë, ku kishte filluar më 1 mars, dhe përfundon në fund të këtij muaji.
Sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurive dhe Dhuratave, deklarimin e pasurisë obligohen ta bëjnë: presidenti, kryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat, kryekuvendari e deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryetarët dhe nënkryetarët e komunave.
Ligji parasheh që pasurinë duhet deklaruar edhe: gjyqtarët e prokurorët, zyrtarët e prokurimit, doganierët, inspektorët tatimorë e zyrtarë tjerë, përfshirë mjekët dhe profesorët universitar që punojnë në sektorin publik.
Radio Kosova ka biseduar me , Yllëza Basha, nga Zyra për Komunikim me Publikun në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ku ka treguar se në çfarë përqindje presin që zyrtarët publik të përmbushin obligimin ligjor.
“Numri i zyrtarëve të cilët sipas ligjit, këtë vit kanë për obligim deklarimin e pasurisë është rreth 11 mijë. Ndërsa, pasi që afati është deri me 31 mars ne nuk mund ta dimë saktë se sa do e përmbushin këtë obligim, por shpresojmë që do të jetë afër 100%.” - ka thënë ajo.
Ajo gjithashtu ka tregua se çfarë masash mund të ndërmerren ndaj zyrtarëve publik që nuk deklarojnë pasurinë brenda afateve ligjore.
“Për subjektet deklaruese që dështojnë të kryejnë këtë obligim brenda afatit të përcaktuar, Agjencia detyrohet për të shqiptuar gjobë prej 30% të pagës mujore e cila aplikohet në 14 ditët e para pas afatit të paraparë, apo duke dorëzuar kallëzim penal në prokurori pas 15 ditëve të vonesës në deklarim.” – ka thënë ajo.
Për mos deklarim të pasurisë, përveç gjobës, zyrtarët mund të dënohen me burgim deri në tre vite.
Ndërsa, ata që bëjnë deklarim të rrem, mund të dënohen me gjobë dhe burgim deri në pesë vite, bëjnë të ditur nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.