Vëllaznimi e dorëzon ndeshjen e kupës, Prishtina kalon në rundin tjetër pa lojë
Vëllaznimi ka hequr dorë nga ndeshja e 1/16 së finales së Kupës së Kosovës kundër Prishtinës, për shkak të telasheve të mëdha financiare, njofton klubi bardhekaltër.
Përballja e Vëllaznimit, që bën gara në kategorinë e dytë të futbollit në vend, me Prishtinën, ishte caktuar të luhej të enjten në Gjakovë, nuk do të zhvillohet.
Kjo nënkupton se Prishtina do të kalojë pa lojë në rrethin e 16 skuadrave më të mira në Kupën e Kosovës.
“Sfida Vëllaznimi – Prishtina e paraparë që të zhvillohet të enjten nga ora 12:00 në Gjakovë në kuadër të Kupës së Kosovës për fazën 1/16 së finales, është anuluar. Anulimi ka ardhur me kërkesë të klubit nga Gjakova me arsyetimin se ekipi ndodhet në gjendje jo të mirë financiare”, thuhet në një njoftim të Prishtinës.
“Skuadra jonë pas vendimit për anulimin e ndeshjes, kalon në 1/8 e finales automatikisht”, thuhet tutje në njoftim.
Vëllaznimi është ndër klubet më të vjetra kosovare, por ka vuajtur nga kriza të vazhdueshme financiare për t’u kthyer në elitë.
Ajo e ka fituar Kupën e Kosovës një herë, në sezonin 2007/08, para pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA.