Veliu për lejet e ndërtimit në Batllavë: Të intervenojë prokuroria - të ndalet qeverisja korruptive
Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu ka bërë thirrje që Prokuroria duhet të intervenojë për ndërtimet në këtë qytet dhe në zonën e Liqenit të Batllavës.
Veliu ka thënë se duhet që organet e drejtësisë të intervenojnë që të ndalet qeverisja korruptive.
“Qytetarët e Llapit nuk do të lejojnë që praktikantët e LVV-së të degradojnë e rrënojnë atë që është ndërtuar për 20 vite me taksat e tyre.”, ka shkruar ai.
Komuna e Podujevës për kryetar ka, Shpejtim Bulliqin e Vetëvendosjes.
Shkrimi i plotë:
Modeli i keqqeverisjes në nivel qendror po bartet edhe në nivelin lokal.
Dorëheqjet dhe shkarkimet që po ndodhin në ekzekutivin komunal të Podujevës janë pasqyrë e qeverisjes abuzive dhe korruptive nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pas akuzave të drejtorit të shkarkuar të Inspeksionit ndaj kryetarit të Komunës, për lejimin e ndërtimeve ilegale në qytet dhe në zonën e Liqenit të Batllavës, do të duhej të intervenonte prokuroria.
Ndërhyrja e organeve të drejtësisë është e domosdoshme për ndërprerjen e qeverisjes korruptive, por edhe diskriminuese brenda administratës komunale.
Qytetarët e Llapit nuk do të lejojnë që praktikantët e LVV-së të degradojnë e rrënojnë atë që është ndërtuar për 20 vite me taksat e tyre.
