Vdes zëvendësguvernatori i vendosur nga Rusia në Kherson, Kirill Stremousov
Mediet shtetërore ruse kanë raportuar se zëvendësguvernatori i vendosur nga Rusia në Kherson të Ukrainës, Kirill Stremousov, është vrarë.
Këto media e cituan shërbimin për shtyp të guvernatorit rajonal të ketë thënë se ai ka vdekur në një aksident komunikacioni, raporton televizioni BBC.
Politikani 45-vjeçar ishte caktuar në këtë post dy muaj pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë.
Ai ishte njëri nga ithtarët më të njohur të pushtimit rus dhe u ishte bërë i njohur për deklaratat agresive në rrjetet sociale.
Stremousovi kërkohej nga policia ukrainase për tradhti shtetërore.
Shumë zyrtarë të emëruar nga Rusia në zonat e pushtuara të Ukrainës kanë qenë në shënjestër të sulmeve.
Ditëve të fundit, Stremousovi u bëri thirrje civilëve që të largoheshin nga bregu lindor i Lumit Dnipro për shkak të përparimit të forcave ukrainase.