Vdekja e punëtorit nga Drenasi, reagon FSPKSPK: Sot varrosim punëtorin e 21-të brenda 7 muajve
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka reaguar për vdekjen e punëtorit 40 vjeçar nga Komuna e Drenasit, i cili ka rënë nga lartësia në vendin e punës.
Në reagimin e kësaj sindikate thuhet se e kjo është vdekja e 21-të në vendin e punës brenda 7 muajve.
Kjo sindikatë është shprehur e shqetësuar për gjendjen e punëtorëve.
“Sot varrosim punëtorin e 21-të, vetëm për 7 muajt e parë të këtij viti. 2025-a ka filluar me periudhën me fatkeqe që nga pas lufta. Nga Janari deri me sot përcjellim 21 jetë të punëtorëve të cilët shkuan për të fituar ndershëm bukën e gojës, por fatkeqësisht 21 familje mbeten pa babën, burrin, vëllaun, fëmijën e tyre”, është thënë në komunikatën për media të kësaj sindikate.
Ndër të tjera, kjo sindikatë ka vlerësuar se kërkesat e tyre janë refuzuar vazhdimisht nga institucionet e Kosovës.
“Pas shumë kërkesave për institucionet shtetërore që të ulemi dhe bisedojmë për këto raste, pushteti ka zgjedhur injorimin e kërkesave sindikale ku kemi kërkuar që në raste të tilla ajo çka me se paku mund të bëjë pushteti, të ketë një pension solid për këto familje sepse edhe fëmijët e këtyre familjarëve kanë të drejtë në ekzistencën minimale të jetës se tyre”, është thënë në komunikatë.