Vdekja e punëtorit në Prizren: Inspektorati ia kishte ndaluar punimet për shkelje sigurie – kompania s'e respektoi vendimin
Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Prizren, ku një punëtor në një kompani ndërtimi ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit nga lartësia në vendin e punës. Sipas njoftimit zyrtar të Inspektoratit Qendror të Punës, punëtori kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht përpjekjeve mjekësore, ka humbur jetën pas dërgimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Pas daljes në vendin e ngjarjes, inspektorët kanë konstatuar se kompania ku ndodhi rasti tragjik kishte qenë më parë objekt kontrollesh nga Inspektorati i Punës, si pjesë e aksioneve të ndërmarra në sektorin e ndërtimit në rajonin e Prizrenit.
Gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave ligjore për siguri dhe shëndet në punë, ndaj subjektit ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë.
Megjithatë, kompania – sipas Inspektoratit – nuk e kishte respektuar urdhrin ligjor dhe kishte vazhuar punimet në kundërshtim me vendimin e Inspektoratit.