Vdekja dhe dyshimi për torturim të një burri në ndalim nxisin protesta në Siri - NACIONALE

Vdekja dhe dyshimi për torturim të një burri në ndalim nxisin protesta në Siri

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Sirianët kanë protestuar për vdekjne e një burri që ishte arrestuar dhe dyshohet se ishte rrahur nga forcat e sigurisë, duke nxitur zemërim të gjerë për një praktikë që mendohej se kishte marrë fund me rrëzimin e regjimit të Bashar al-Assadit.

Një turmë njerëzish u mblodh në qytetin Aleppo, duke kërkuar llogaridhënie nga forcat e sigurisë që dyshohet se e kryen torturën. Pjesëmarrësit mbanë në duar pankarta në të cilat, mes tjerash, shkruhej: “Mos e përsërisni shtypjen e njëjtë, kundër së cilës u revoltuam.” Protesta për të martën u planifikuan edhe para Kuvendit të Sirisë në Damask, raporton gazeta “The Guardian”.

Mohammad Ghamira, 29 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe ish-vullnetar në organizatën Helmetat e Bardha, kishte vizituar një stacion policor në provincën bregdetare, Latakia, javën e kaluar, pas një akuze për vjedhje.

Ghamira kishte dalë nga stacioni në gjendje kritike dhe vdiq në spital të dielën nga “ndërlikimet nga gjakderdhja cerebrale dhe gastrointestinale” që “rezultoi nga rrahja që e pësoi pasi ishte ndaluar”, tha Raed al-Saleh, ish-udhëheqës i Helmetave të Bardha dhe ministër i Menaxhimit të Emergjencave dhe Katastrofave.

Një fotografi e Ghamiras para ndalimit, duke qeshur e i shëndoshë, pranë një fotografie tjetër ku ishte pa vetëdije në një spital shtrati me mavijosje në trup, u përhap shumë, duke nxitur zemërim në Siri.

Prindërit e Ghamiras i thanë shefit të stacionit policor para ndalimit të birit të tyre se ai vuante nga hemofilia, sëmundje që e bën të vështirë ndaljen e gjakderdhjes dhe kërkuan që të mos e rrihnin. Pavarësisht këtij paralajmërimi, Ghamira u rrah në ndalim, u tha mediave shtetërore siriane Issam Ghamira, xhaxhai i tij.

Lajme të ngjashme